Beci: Pastrohet pas 30 vitesh kolektori kryesor i Shkodrës në zonën e Perashit
Prej disa ditësh në Shkodër ka nisur puna për pastrimin e kolektorit kryesor të qytetit të Shkodrës në zonën e Perashit. Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ka inspektuar nga afër punimet për pastrimin e këtij kolektori.
“Kolektori prej 30 vitesh nuk është pastruar dhe ka qenë i bllokuar nga ndërtimet pa leje. Vazhdojmë intensivisht të punojmë dhe po bashkëpunojmë shumë mirë edhe me banorët, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për mirëkuptimin e tyre sepse sigurisht ne jemi duke punuar pranë shtëpive të tyre dhe po ecim shumë mirë”, theksoi Beci.
Ndërmarrja e Shërbimeve dhe Punëve Publike e bashkisë Shkodër në bashkëpunim me Ujësjellës Kanalizime prej disa ditësh po punojmë për pastrimin e kolektorit, i cili rrezikonte qytetin sa herë kishte reshje intensive shiu.
Bashkia e Shkodrës ka ngritur një grup të përbashkët pune, për evidentimin e të gjithë ndërtimeve, avlli apo gardhe të cilat bllokojnë sistemin e kullimit të qytetit në kolektorë dhe do të vijojë për pastrimin e plotë të tyre.