Beci: Transformim rrënjësor bllokut të pallateve në “Isuf Sokoli”
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka bërë të ditur përfundimin e punimeve për transformimin e plotë të bllokut të pallateve në rrugën “Isuf Sokoli”, një zonë që për vite me radhë kishte vuajtur nga degradimi dhe harresa.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Beci theksoi se falë rehabilitimit të sheshit dhe ndërhyrjes sistematike në fasadat e amortizuara, kjo lagje ka marrë tashmë një pamje krejtësisht tjetër, duke rikthyer dinjitetin urban dhe estetikën e munguar.
Postimi i plotë:
Blloku i pallateve në Isuf Sokoli ka njohur një transformim të plotë.
Nga hapësira të degraduara dhe fasada të amortizuara, sot zona paraqitet me një pamje krejt tjetër.
Rehabilitimi i sheshit dhe ndërhyrja në fasada kanë rikthyer dinjitetin urban, funksionalitetin dhe estetikën e një lagjeje që për vite me radhë ishte lënë pas dore.
Kjo ndërhyrje nuk është thjesht rregullim vizual, por një investim që përmirëson cilësinë e jetesës dhe marrëdhënien e banorëve me hapësirën publike./J.H/
KOHA JONË SONDAZH

