Begaj refuzon ftesën e Mitsotakis, Presidenca tregon për mungesën në Greqi
Në 21 gusht, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis do të mirëpresë në një darkë informale liderët e rajonit, ku do të diskutohet për të ardhmen evropiane të Ballkanit. Në këtë darkë, Shqipëria, që ishte e ftuar në rang Presidenti, nuk do të jetë e përfaqësuar.
Menjëherë pas publikimit të lajmit, Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj është detyruar të japë dhe shpjegimin e këtij refuzimi. Pra Shqipëria është ftuar në rang presidencial. Ai thotë se arsyeja ka të bëjë me agjendën e tij të paracaktuar më herët.
”Në përgjigje të interesit tuaj ju bëjmë me dije, se më 14 gusht 2023, Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i ka derguar një ftesë Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, për të marrë pjesë në një darkë informale, më 21 gusht 2023, në Athinë. Një ditë më pas, më 15 gusht 2023, Presidenti Begaj në përgjigjen e dërguar, pasi vlerësoi vëmendjen që Kryeministri grek Mitsotakis i kushton zhvillimeve të lidhura me sigurinë e Evropës, shprehu gjithashtu keqardhjen për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një agjende të përcaktuar më herët”,-përgjigj Presidenca.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i Malit të Zi Jakov Milatoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçeski, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidenti i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës Borjana do të jenë në Athinë për të marrë pjesë në darkën joformale për zgjerimin.