Bejko: SHBA-ja e nxori Berishën nga dera, këta e fusin nga dritarja
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së së vulës, Roland Bejko komentoi pjesëmarrjen e aleatëve si Agron Duka dhe Dashamir Shehi në mbledhjen me Gazment Bardhin dhe Sali Berishën. Për të ata kanë vepruar gabim pasi nuk kanë detyrime ndaj Berishës. Po ashtu ai thotë se ndërkombëtarët pritet që të dalin së shpejti me një deklaratë që kundërshton bashkimin e Gazment Bardhit me Sali Berishën.
“Doli edhe Bardhi dhe tha se ndërkombëtarët na kanë kërkuar të bëjmë një opozitë të fortë. E kërkojnë, por jo me non gratën. Me këtë rast, nëse është ndonjë ndërkombëtar tjetër, që ia ka thënë Bardhit, ta bëjë transparent se cili e ka thënë. Nëse ka qenë pa përkthyes merr njërin nga këto ndërkombëtarët, unë dyshoj tek vërtetësia sepse zoti Bardhi nuk di anglisht dhe mund të jetë keqkuptuar në atë që i kanë thënë.
Kurrë ndërkombëtarët nuk e përkrahin bashkimin me Sali Berishën. Do ta dëgjoni këto ditë, do të bëjnë reagimin për t’u distancuar edhe njëherë nga non grata për të gjithë ato që kanë qoftë edhe një ide fillestare për të qenë pranë non gratës dhe për t’i dhënë atij oksigjen. Amerikanët e nxorën Sali Berishën nga dera e parlamentit. Këta i japin grupin parlamentar dhe e fusin nga dritarja e Kuvendit”,-thotë Bejko.