Belind Këlliçi: Përgjigje Merit, për letrën e hapur!
Nga: Belind Këlliçi
E dashur Meri Lika!
E lexova letrën tënde të hapur, dhe më vjen mirë se, me gjithë gjërat për të cilat nuk jemi 100 përqind dakord, ajo që na bashkon është e qenësishme, është arsyeja pse jam në këtë fushatë. Thelbi është se qyteti kështu si gjendet sot, e si qeveriset, nuk i përgjigjet qytetarëve, kërkesave themelore. Nuk ofron atë çka mund të ishte si bazike, më tej është vetë njeriu që me punën, mundin, talentin, ecën përpara dhe drejton jetën e tij.
Prej letrës tende, dhe pyetjeve që aty ngre, mësoj se ke parë programin dhe zgjidhjet që unë ofroj, dhe kjo më gëzon shumë. Janë njerëzit, qytetarët, vajzat dhe gratë, ata që përpiqen shumë të sigurojnë jetën e të krijojnë standarde për veten dhe familjet, burimi i platformës time.
Kjo është mendoj diferenca më e madhe që kam me kundërshtarin. Ai ka një skicë në mendje, një pikturë kullash dhe një projektim me ngjyra për elitën financiare të qytetit, shpesh me euro me origjinë të dyshimtë. Nuk ka ai bojën e përmasat e njeriut, e humanit, që udhëheq alternativën time dhe masat që parashikoj.
Pikërisht, që një grua, një profesioniste, apo një kryefamiljare, të ketë mundësi të punojë edhe më shumë, edhe më e qetë, edhe më e sigurtë për fëmijët e saj, do të bëj të mundur që së pari, asnjë zonë në Tiranë të mos jetë më pa një çerdhe, kopësht, apo shkollë. Dhe, do të investojmë shumë në cilësinë e tyre, e në mundësinë që të qendrojnë të hapura deri pasdite, kur prindërit të kenë mbaruar punën, pa nxitim e stres.
Bashkia sot nuk ofron zgjidhje për trafikun, dhe kjo është një pengesë e madhe për çdo njeri, e besoj edhe për ju që shpenzoni jo vetëm karburant, por edhe kohë e nerva teksa ngecni me minuta të tëra në një vend, e kjo disa herë në ditë.
Unë kam një projekt për këtë. Autobusi falas do të inkurajojë shumëkend të mos e marrë makinën, kjo do të ndikojë në lehtësimin e qarkulllimit, e do të sjellë edhe ajër më të pastër. Siç ju e përmendni me rastin e ekonomistes së re, që ndërron 3 autobusë në ditë, plani im do të kursejë për qindra mijë qytetarë, deri në 52 mijë lekë në muaj.
Një nënkalim të Sheshi Skenderbej, është llogaritur që shfryn me 60 përqind trafikun në një prej nyjeve kryesore të qytetit, e kjo valë valë, ndikon kudo.
Aplikacioni TI Tirana, do të të vijë në ndihmë, për të kuptuar se ku ka një vend të lirë parkimi, dhe semaforët inteligjente, do t’i përgjigjen gjendjes në atë moment të fluksit të lëvizjes, duke ndihmuar në lëvizshmëri.
500 oazet që kam në plan të ndërtoj në Tiranë, në çdo lagje, janë një mundësi e mirë që prindërit të argëtojnë fëmijët e tyre, dhe të moshuarit të kalojnë më shumë kohë jashtë, në ambjent të hapur, e të mos qendrojnë me orë të gjata brenda.
Ulja e tarifave dhe e taksave, do të ndikojë që profesionistët e gratë, të paguajnë më pak. Sot, për fat të keq, Bashkia merr shumë para nga qytetarët, e ofron shumë pak shërbime.
41 mln euro ka vjelur Erjon Veliaj nga taksa e veçantë për infrastrukturën arsimore, por rezultati është se 160 mijë banorë në Tiranë, 1/5, e popullsisë, janë pa asnjë çerdhe, shkollë, apo kopësht.
Tirana do të jetë miqësore, e kjo do të nisë nga ndalimi i fushatave ndëshkimore të policisë bashkiake që gjurmon të kapë qytetarët në shkelje, për të lënë mbi ta letrën e verdhë. Policia bashkiake do të kthehet në polici komunitare, do të jetë një kontribuese për sigurinë, për vajzat e gratë, e për fëmijët.
Ju jeni ekonomiste, dhe besoj se edhe për profesion, përpos ndjeshmërisë qytetare, do të jeni duke pyetur se ku do t’i gjej paratë. Ju e dini, se ato janë aty. I pakëson, dhe nuk i lejon të shkojnë në shërbime apo tek qytetarët, korrupsioni. Korrupsioni ka për të marrë goditje.
Jam i vetëdijshëm, që nuk është një luftë e lehtë për t’u fituar, por di se unë e kam vullnetin. Më së pari, do të ndaloj aferën e inceneratorëve, një gojë e madhe abuzimi që i merr Tiranës mbi 40 mijë euro në ditë. Më tej, me lehtësimin e barrës, do të bjerë informaliteti, e do të shtohen kontribuesit. Dhe, e sigurtë të jesh, se nuk do të ketë në bashki, drejtorë që kontrollojnë territorin ditën, e ndërtojnë vetë natën. S’do të ketë 5 shefa 5D, që gllabërojnë fondet e marrin lejet e ndërtimit.
E dashur Meri!
Jam i bindur se Tirana ku i gjithë qyteti, banoret e resurset e tij vihen në dispozicion të kryetarit, që ai të dalë mirë e të ecë përpara në karrierë, është një model që duhet ndalur. 8 vite janë shumë. Drejtimi ka gjithnjë të bëjë edhe me karakterin. Sot kemi efektin e narcizit bashkiak, që kërkon të mbulojë çdo gjë që nuk shkon, çdo mungesë e padrejtësi, me fasadë e propagandë të dhunshme.
Unë s’jam ky tip. Jam i vërtetë, i tillë do të jem deri në fund. Sepse besoj se e vërteta, angazhimi, dhe qendrimi me çdo çmim mbi besimin që ke marrë nga njerëzit, është themeli më i sigurtë dhe i qendrueshëm që të ecim përpara jo vetëm në politikë, por edhe si shoqëri.
Kur them se gjithçka është në duart e qytetarëve, që ata të vendosin vetë për qytetin, për mënyrën e qeverisjes, për drejtimin që do të marrë, kam sidomos parasysh që edhe pas 14 majit, njerëzit ta mbajnë Tiranën në duar. Sepse do të kenë mundësi të shohin, të kontrollojnë, të thonë fjalën e tyre, të kontestojnë, të kundërshtojnë, e të dëgjohen. Nuk do të marr vendime kundër tyre, asnjë të vetëm.
Ndaj është rasti për të bërë më shumë se sa zgjedhjen e një kryebashkiaku, me 14 maj.
Eshtë momenti për të përmbysur një kohë, për të sjellë në krye të qytetit një model të ri.
***
Një pyetje për Belind Këlliçin!
Nga Meri Lika
Përshëndetje Belind!
Po të drejtoj këtë letër, jo sepse nuk mund të të takoj, as se nuk mund të të shkruaj privatisht, por sepse kam dëshirë të shkruaj publikisht atë që mendoj e që po publikisht të kesh mundësinë ta lexosh edhe ti (do të drejtohem me “ti” për lehtësi komunikimi).
Unë do të doja që primaret t’i kishte fituar doktor Alimehmeti, por jo gjithmonë dëshirat e njerëzve përputhen me atë që ndodh në realitet, se ja për shembull Rolandi ka dëshirë të zjarrtë të mund Berishën, por realiteti kokëfortë thotë se edhe pse kandidati i vulës ka 1 milion e 200 mijë euro fonde e ju nuk keni as sa gjysma e tyre, vula 1.2 milion euroshe, nuk e mund dot shumicën e demokrateve, e në këto raste realiteti duhet pranuar ashtu siç është.
Në këtë fushatë, ti dhe kandidatët e tjerë të opozitës reale, jeni në kushte krejt të pabarabarta, të cilat të gjithë i dimë: pa vulë, pa partinë tuaj të ligjshme, pa fonde, pa komisionerë, pa numërues e shumë e shumë “PA” të tjera të cilat sigurisht që do kenë ndikim, por uroj të mos deformojnë rezultatin.
Megjithatë, sot nuk dua të të shkruaj për gjëra që i dimë të gjithë, e që i flasim përditë, dua të të shkruaj për mua, votuesin, të cilin ti duhet ta drejtosh tek kutia e votimit, e që ai pa hezitim të vendos shenjën në kutinë ku është emri yt.
Një ditë, në ambientet e një televizioni, ndërkohë që po u afrohesha shkallëve për të hyrë tek dera kryesore, vura re një djalë i cili sapo më pa, me shumë edukatë më mbajti derën hapur edhe pse unë isha ende larg prej saj. Kur afrova vura re se ishe ti Belind, që po mbaje derën derisa unë të hyja.
Pasi hyra, të thashë “Unë nuk ta jap votën, pavarësisht se më hape derën”, përgjigjia jote ishte “nuk ka problem”.
Si njeri ndoshta këtë përgjigje do të duhet të prisja, por si votuese prisja një tjetër përgjigje, prisja të më pyesje se cila ishte arsyeja që të deklarova se nuk do të votoja ty.
Në këtë letër të hapur po të tregoj peshoren time, deri ditën e sotme, ku nga një anë kam vendosur përse duhet të të votoj e nga ana tjetër përse jo.
Pro-të e mia!
Shpesh, ose më mirë të them në pjesën më të madhe të kohës, politika është konflikt, por konflikt nuk do të thotë kaos, as denigrim, as mohim e as mosvlerësim. Po ashtu politikani nuk mund të jetë në konflikt gjatë gjithë kohës, por ai ka kohën e tij të reflektimit, të mendimit dhe sidomos kohën e tij të veprimit. Ti në fushatë ke zgjedhur të jesh jashtë konfliktit, denigrimit dhe sidomos jashtë gjuhës ordinere që politika jonë tridhjetë vjeçarë ka zgjedhur gjithmonë.
Në faqen tënde kam lexuar programin dhe pesë prioritetet e fushatës tënde, për të cilat sigurisht që jam pro, sepse në këtë fushatë ti ke zgjedhur të prekësh njeriun e varfër, atë që mundohet për bukën e gojës. Për mua pak rëndësi ka nëse ke politika konservatore, të djathta apo të majta, sepse sipas gjykimit tim këto ndarje bëhen në vendet e zhvilluara atje ku njeriut nuk i cënohet dinjiteti, liria, mendimi, ekzistenca. Në një vend si yni, ka vërfëria është ulur këmbëkryq dhe ku fatkeqësisht ka njerëz të cilët nuk ushqejnë dot me bukë fëmijët, e ku vota shitet për një thes miell, ndarja e doktrinave duket paksa utopi.
Qytetari, fillimisht do të ketë siguri për ekonominë, jetën dhe shëndetin që pastaj të zhvillojë edhe mendimin e tij konstruktiv dhe krijues.
Pati shumë skeptikë për transportin publik falas, disa e quanin të pamundur financiarisht, disa se është masë e majtë, disa se nuk i përket doktrinës së djathtë, disa me argumentin se me taksat e mia që nuk përdor transport publik nuk ka pse të ndihmohet një shtresë tjetër ku unë nuk përkas etj si këto, por unë jo, edhe pse ekonomiste nuk isha skeptike sepse njoh njerëz që e kanë shumë të nevojshme këtë ndihmë. Një vajzë e e re ekonomiste e cila banon në Kamëz, e që punën e ka tek Komuna e Parisit, ndërron 3 autobuzë për të shkuar në punë dhe po aq për t’u kthyer prej saj, pra në një ditë ajo paguan 6 bileta autobuzi të cilat kanë një kosto mujore (për 22 ditë pune) 5.280 lekë të reja. Paga e saj neto është 50.000 lekë të reja por kostoja e transportit automatikisht pagën e saj e ka kthyer në një pagë neto 44.720 lekë.
Duke qenë se puna ime lidhet me biznesin, e disa prej klientëve të mi, janë fasonistë (jo nga ata që kanë paga nën minimale etj si këto), kam llogaritur se transporti publik falas është duke i ndihmuar edhe ata, sepse një ndër kostot më të mëdha të shumë bizneseve është edhe transporti i punonjësve, të cilin me një transport publik falas, komod dhe që respekton oraret, këto biznese nuk do kenë më nevojë ta shpenzojnë.
Në këtë fushatë, ti premtove se kreditë e buta apo fondet për të pastrehët nuk do t’i marrin më patronazhistët, militantët, politikanët e të gjitha ngjyrave, apo gazetarët pro pushtetit, por do t’i marrin të pastrehët e vërtetë, gratë e dhunuara, gratë kryefamiljare, ata që kanë vërtetë nevojë.
Premtove se Bashkia do jetë ajo që do t’ia çojë përfitimin qytetarit, e qytetari nuk do të vrapojë e të sfilitet për të marrë atë që i takon.
Jam njëqind për qind e prirur të të besoj.
Kundër-at e mia!
Unë jam një profesioniste e lirë, një nënë kryefamiljare, që për të krijuar të ardhurat e familjes sime, punoj mbi 12 orë në ditë në shtatë ditë të javës. Nisur nga oraret e mia të stërgjatura, jam e detyruar të mos e përdor arsimin publik sepse tim bir nuk kush ta pres në orën 13 kur ai të dalë nga shkolla, që nuk e përdor shërbimin shëndetësor falas, sepse një herë kur shkova të bëja djalin synet m’u desh të paguaja pothuajse 500 euro nën dorë për një shërbim mizerabël dhe aspak respektues, e kështu për të qenë më e qetë dhe më mirë e shërbyer i drejtohem privatit.
Unë nuk e përdor transportin publik, sepse klientët e mia janë sa në një cep të Tiranës në cepin tjetër e koha është shumë e shtrenjtë për mua, për ta shpenzuar duke ndërruar autobuzë.
Unë nuk jam duke kërkuar kredi të butë, sepse tashmë kredia e pazbutur ma ka matur kokën me metër për shumë vite edhe pse jam kryefamiljare.
Unë nuk përfitoj asnjë fond ndihme apo ku di unë se çfarë nga programet sociale. Do kisha shumë dëshirë që në vend që të paguaj qiranë për zyrën, të paguaj një kredi e të mundem ta blejë, por paraja e zezë dhe ndërtimet mbytëse të cilat i kanë bërë çmimet të paarritshme për nivelin e të ardhurave të mia, ma kanë hequr këtë të drejtë.
Do kisha dëshirë që çibanët e betonit të mos ma marrin frymën e të mos ma zënë pamjen, që pluhuri të mos ma pushtojë mushkrinë.
Të kem mundësinë e një ambjenti ku të vrapoj në mëngjes, apo të shëtis në mbrëmje me tim bir e të mos marrë makinën për të dyndur liqenin.
E duke qenë në këto kushte dëshirash dhe nevojash, dua të të pyes publikisht: Po për mua e për të ngjajshmit e mi, çfarë ke menduar, në mënyrë që të më afrosh tek kutia e votimit dhe të të japë votën?