Belsh, takim sensibilizues për sigurinë në qarkullimin e motomjeteve

Siguria rrugore, si një ndër prioritetet kryesore mblodhi sot në një takim sensibilizues për parandalimin e aksidenteve rrugore drejtues të policisë në Belsh. Ky takim u zhvillua në kuadër të sensibilizimit të qytetarëve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe pajisjen me dokumentacionin përkatës, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Një nga problemet që haset në këto zona është qarkullimi i drejtuesve të motomjeteve, pa lejen përkatëse të drejtimit, pa dokumentacionin e duhur për të qarkulluar dhe pa kaskën mbrojtëse. Po ashtu edhe qarkullimi i mjeteve bujqësore dhe i atyre që tërhiqen me kafshë, pa plotësuar elementet teknike të qarkullimit në rrugë, duke u bërë kështu rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.

Shefi i sektorit të Qarkullimit Rrugor, kryekomisar Valentin Florini vuri theksin në koordinimin e punës së përbashkët të Sektorit të Qarkullimit dhe strukturave të Bashkisë, për t’i dhënë fund këtij fenomeni. Të gjitha strukturat do të fillojnë menjëherë punën për konstatimin, këshillimin e më pas ndëshkimin sipas ligjit, të të gjithë atyre që nuk do të pajisen me dokumentacionin e duhur, elementet e sigurisë dhe nuk do të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Sipas policisë, thirrja shkon për të gjithë qytetarët që përdorin motoçikleta, që të pajisin mjetet e tyre me dokumentacionin e duhur, të pajisen me elementet e sigurisë, si kaska mbrojtëse, elementet ndriçues e sinjalizues. “Nuk do të tolerohen më të gjithë ata që do të shkelin rregullat e qarkullimit rrugor dhe do të vënë në rrezik jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë”, thuhet në njoftimin e Policisë. Takimet do vijojnë në ditët në vazhdim në çdo njësi, me qëllimin e vetëm sigurinë e jetës për të gjithë përdoruesit e rrugës.

SHKARKO APP