Ben Blushi: “Komploti” është romani im i ri që del këto ditë në treg

Nga Ben Blushi

KOMPLOTI
Komploti është romani im i ri që këto ditë del në treg.
Ky roman është shkruar mes muajit shkurt dhe prill të këtij viti. Nuk e mbaj mend datën kur kam nisur ta shkruaj por mbaj mend se e kam përfunduar javën e parë të prillit 2023. Pasi e lashë pothuajse gjashtë muaj pa e prekur, e rilexova në gusht, e shkurtova në shtator dhe ia dorëzova botuesve të mi, Pegi dhe Dukagjini, në tetor.
Ngjarjet e Komplotit zhvillohen në vjeshtën e vitit 2043 dhe në pranverën e vitit 2044, pra 20 vjet më vonë, kur për shkak të ndryshimeve demografike popullsia e Shqipërisë është zvogëluar, ndërkohë që shumë refugjatë kanë ardhur të jetojnë me ne. Ata janë kryesisht afganë, por dhe sirianë e iranianë, të vendosur në qytetin e Shëngjinit, i cili këto ditë u caktua realisht një zonë ku do strehohen refugjatët që nuk e kalojnë dot Adriatikun.
Meqë popullsia e tyre, pra e emigrantëve shtohet me ritme të larta, ndërkohë që shqiptarët lindin më pak dhe emigrojnë më shumë, në vitet 2040, të huajt bëhen shumicë dhe fitojnë bashkinë e Shëngjinit duke zgjedhur Kryetar Bashkie një afgan.
Për shkak të rrethanave dhe ndryshimit të shpeshtë të Qeverive, ky afgan që martohet me një shqiptare, zgjidhet Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.
Këtu fillon Komploti.
Afgani, pra Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë vendos të çlirojë Kosovën e cila për shkak të ndryshimit të konjukturave është pjesërisht e pushtuar nga serbët që janë inkurajuar nga avancimi i Rusisë në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji.
Për të penguar çlirimin e Kosovës nga afganët, tre çifutë që bëhen bashkë për arsye të ndryshme, thurrin një Komplot. Ata të tre kanë pikëpamjet e tyre sa i takon Amerikës, Rusisë, Shqipërisë dhe sidomos Izraelit dhe konfliktit të tij me Palestinën. Njëri prej tre çifutëve është sionist, tjetri është komunist dhe i treti është një aventurier shqiptar që shpesh krijon kaos pa shkak.
Komploti përfundon me një tentativë të afganëve për grusht shteti, pra një përpjekje për të marrë Qeverinë e Shqipërisë dhe për ta kthyer Shqipërinë në një Afganistan të vogël në mes të Europës. Këtë përpjekje të afganëve, shqiptarët arrijnë ta shmangin me ndihmën e tre çifutëve dhe përmes një veprimi të çuditshëm.
Ky është pak a shumë romani, vazhdimin dhe fundin e të cilit nuk mund ta tregoj pasi botuesit e mi do ma ndalonin.
Si të gjithë shkrimtarët edhe unë nuk jam më pronari i librit tim. Prandaj nuk më lejohet të tregoj më shumë. Edhe sa tregova ishte e ndoshta e tepërt megjithëse e pamjaftueshme.
Për të qetësuar të gjithë ata që mund të gjejnë paralele apo ngjashmëri mes Shqipërisë së vitit 2044 dhe Shqipërisë së sotme, dua të them se ky roman është një fiction, pra fantazi dhe asgjë më shumë.
Si i tillë nuk besoj se bën dëm por kjo nuk është më në dorën time.
Komploti do të jetë në të gjitha libraritë e Kosovës duke nisur nga dita e enjte 9 nëntor kur do të prezantohet pasdite në librarinë Dukagjini të Prishtinës. Ndërsa në Shqipëri do të qarkullojë për herë të parë në datën 15 nëntor në Panairin e Librit, ku ju pres të gjithëve për autografe në stendën e Botimeve Pegi.
Tani për tani kaq për Komplotin tim.

SHKARKO APP