Arkiva e Koha Jone/Ben Blushi kërkonte që në mars 1995 shkolla private (lexoni shkrimin e tij)

(Botuar me 15 Mars 1995 në KOHA JONE)
Nga Ben Blushi-

Marrëdhëniet e ngushta Shqipëri-Turqi janë një realitet i konkretizuar në disa forma. Përveç shkëmbimeve të shumta të ushtarakëve dhe kadetëve, biznesmenëve dhe specialistëve, shteti shqiptar i ka hapur dyert edhe mësuesve turq, të cilët bashkë me kulturën dhe arsimin kanë përçuar në vend edhe edukatën turke të njohur për disiplinën dhe harmoninë mes fesë dhe kulturës. Gjatë këtyre tre viteve të pluralizmit në Shqipëri, qeveria aktuale shpesh me të drejtë ose jo është kritikuar për koncesione që i ka bërë aleatit të saj më të fuqishëm në Rajon, Turqisë. Qeveria ka dhënë argumente nga më të ndryshmet duke nisur nga ato politiket e deri tek ato historike për të justifikuar këto koncesione. Nga ana tjetër ata që sulmojnë qeverinë për politikën e saj proislame i gjejnë argumentet pikërisht tek historia e vendit si dhe tek anëtarësimi i pajustifikuar në Konferencën Islamike. Ata thonë se 500 vjet nën sundimin osman i kanë kushtuar shumë energji Shqipërisë e cila përfundimisht duhet të përcaktojë pozicionin e vet politik, kulturor dhe social pavarësisht nga erërat që fryjnë nga Lindja dhe Perëndimi. Në këtë kuadër, breshëri i atyre që kërkojnë të shkëpusin vendin nga influenca islame, por pa mohuar lidhjet dhe afërsitë midis kulturave dhe popujve, ka rënë edhe mbi shkollat islame, kryesisht Medresetë si dhe mbi Kolegjin Turk të Tiranës. Se ç’fshihet pas mureve të këtij kolegji fillimisht ju bë e njohur shqiptarëve gati dy vjet më parë kur shtypi shkroi një seri artikujsh mbi jetën dhe arsimimin e fëmijëve të regjistruar aty. Sipas shtypit, i cili atë kohë, ju referua ndjeshëm dëshmive të adoleshentëve brenda mureve të kolegjit, ata jo rrallë keqtrajtoheshin deri në rrahje si dhe u jepeshin dënime të cilat fëmijët shqiptarë i kishin parë vetëm në filmat e mesjetës së hershme. Akuza të shumta u hodhën edhe mbi praktikimin me detyrim të riteve fetare islame si falja, Ramazani, Bajrami etj. Të huajt që kanë vizituar kolegjin kanë dëshmuar se aty ka dhoma të veçanta ku fëmijët çohen tre herë në ditë për të mësuar dhe ushtruar faljen.

Këto fakte të shkruara si e zeza mbi të bardhë u kundërshtuan hapur nga autoritetet e kolegjit si dhe nga Ambasadori Turk, për t’u vërtetuar, për fat, nga një sërë letrash të prindërve shqiptarë të cilët protestonin për dramat e fëmijëve të tyre. Prindërit thonin se rregullorja e kolegjit turk ishte tepër e papranueshme për traditën shqiptare deri para prezantimit të këtij “stili edukimi”në Shqipëri. Së fundi, një fakt tjetër rëndoi biografinë e kolegjit kur disa javë më parë, dy nga kujdestarët që merren me edukimin e fëmijëve u kapën gjatë një operacioni për zbulimin e një rrjeti droge. Megjithatë, për t’i lënë qoftë prindërit, qoftë kujdestarët e kolegjit nën “shënjtninë”e tyre ndoshta ka ardhur koha për të nxjerrë në publik një të vërtetë tjetër mbi këtë shkollë dhe në përgjithësi mbi të gjitha shkollat e tjera private që deri më sot janë hapur në vend. Sipas ligjeve shqiptare në fuqi ato të gjitha rezultojnë ilegale. Qysh nga koha e hapjes së kolegjit turk, atij amerikan, e disa medreseve, deri më sot nuk ekziston një ligj për licencimin e këtyre mësonjëtoreve. Kolegji turk është hapur në Tiranë në vitin 1992 në bazë të një marrëveshje të nënshkruar nga Ministri i Arsimit i kohës, Ylli Vejsiu, me kryetarin e kompanisë arsimore botuese Gulistan. Sipas marrëveshjes parashikohet që kolegji të funksionojë duke u mbështetur në programet e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Turqisë duke injoruar kështu rregulloren e vendit ku kolegji ishte hapur si dhe Ministrinë që përfaqësohej. Dhe absurdi shkon deri atje saqë Ylli Vejsiu nënshkruan një marrëveshje në kundërshtim me të drejtën dhe afatin e mandatit të qeverisë që ai përfaqëson. Sipas pikës së fundit të marrëveshjes kolegji duhet të jetë i përjetshëm në Shqipëri, sepse Ylli Vejsiu pranon që marrëveshja të ekzistojë në infinit, pavarësisht nga ndryshimet e qeverive dhe presidentëve shqiptarë. Ky pra është peshqeshi që z.Ylli Vejsiu u ka lënë të gjitha qeverive, presidentëve dhe fëmijëve shqiptarë. Pyetja është nëse zoti Vejsiu i ka dhënë vizën kolegjit turk i stimuluar nga motive politike apo private. Megjithatë siç thotë edhe vetë z.Vejsiu ai i ka harruar motivet. Por në rast se ka vetëm një kolegj turk, medrese ka në 10 rrethe të vendit ku sipas statistikave të bashkësisë islame të Shqipërisë mësojnë 745 fëmijë shqiptarë nga 6-18 vjeç. Kohët e fundit bashkësia islame ka vënë alarmin pasi është rrezik që fëmijëve të diplomuar të mos ju njihet e drejta për të konkurruar në Universitetet Shqiptare. Në kërkim të një zgjidhjeje është mbajtur edhe mbledhja e djeshme e komisionit parlamentar për çështjet e arsimit ku është diskutuar për miratimin sa më parë të projektit të ligjit për arsimin. Sa më parë që ky ligj të miratohet aq më shpejt do të zgjidhen gafat dhe koncesionet që njerëz si Ylli Vejsiu, kanë bërë në dëm të arsimit dhe të disa brezave të fëmijëve shqiptarë.
Ben Blushi

SHKARKO APP