Ben Blushi: Nacionalizëm me kah nga Lindja apo Perëndimi
(Botuar me 18 Shkurt 1996 në KOHA JONE)
Nga Ben Blushi-
- Nacionalizëm i kontrolluar
Kur pas gati një viti divorc me PDD, Abdi Baleta u rishfaq për të vënë kurorë të re, ish-kundërshtarët e shumtë të tij të të gjithë krahëve me të drejtë do të kenë menduar se partia e re e Baletës do të dështojë shpejt ashtu si të gjithë krijesat e tjera të tij, më përpara. Dhe ata patën të drejtë. Por këtë radhë arsyet e dështimit nuk gjeneruan nga Baleta por nga jashtë tij. Qysh në start lëvizja e fundit e Baletës për të krijuar Partinë Rimëkëmbja Kombëtare nuk u mor aspak seriozisht, gjë që duket edhe nga hapësira shumë e vogël që shtypi i rezervoi partisë së Baletës. Lajmi se, po formohej ose refuzohej, partia Rimëkëmbja Kombëtare nuk zuri më tepër vend në “Koha Jonë” se sa p.sh. një njoftim për tender i Drejtorisë së Kujdesit Shëndetësor Parësor Vlorë, apo më tepër vend se sa njoftimi i largimit të Atasheut Grek të shtypit, botuar disa herë në Gazeta Shqiptare. Askush pra nuk e mori seriozisht Baletën, njeriun që për katër vjet kishte ndërruar 4 parti. Njeriun, kurba politike e të cilit kalon nga Enver Hoxha, tek Sali Berisha dhe Leka Zogu. (Për fat të keq Skënderbeu ka vdekur). Nga Enver Hoxha, Baleta mori një mandat disavjeçar në Kombet e Bashkuara, nga Berisha kërkoi postin e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa nga Leka Zogu kërkoi disa dafina nga kurora mbretërore për “të rifreskuar” Lëvizjen e Legalitetit. Pasi i humbi të tria shanset me radhë, Baleta përfundoi tek Kalakulla, kundërshtari i rreptë i Hoxhës, Mbretit dhe Berishës. Por edhe atë e humbi. Tragjikisht… Në këto kushte, kanë patur të drejtë të gjithë ata të cilët nuk e morën seriozisht rimëkëmbjen e Baletës, përmes partisë Rimëkëmbja Kombëtare. Edhe politikanët, edhe botuesit duhet ta kenë pasur të vështirës ta besojnë se Abdi Baleta mund të realizojë Rimëkëmbjen Kombëtare. I vetmi që duket se e mori shumë seriozisht këtë “rimëkëmbje” ishte Ministri i Drejtësisë Hektor Frashëri. Ky i fundi refuzoi të miratonte partinë e Rimëkëmbjes me argumentin se kjo parti synon “çlirimin e trojeve etnike shqiptare”. Me anë të një relacioni dyfaqësh Frashëri denoncon mjetet e dhunës që PRK tenton të përdorë për zgjidhjen e çështjes nacionale shqiptare. Sipas ministrit termi çlirim, i përdorur në programin e partisë, nënkupton përdorimin e dhunës në realizimin e objektivit, në një kohë që “ky pozicion vjen në kundërshtim me parimet kushtetuese, legjislacionin dhe qëndrimin e prerë të shtetit shqiptar për përjashtimin e dhunës në zgjidhjen e çështjeve”. Se sa bindës është argumenti i fundit i ministrit kur dihet se metodën e zgjidhjes së çështjeve të hapura të një shteti e përcakton mazhoranca politike, e cila momentalisht drejton atë shtet kjo është për t’u diskutuar. Në këtë rast Baletës i është imponuar metoda e PD, partisë sunduese, e cila zgjidhjen e çështjes kombëtare e sheh në rrugë të tjera më të buta në krahasim me partinë e Baletës. Deri këtu nuk ka asgjë që nuk shkon me përjashtim të një argumenti pak naiv dhe shumë partiak të ministrit. Por ajo që spikat haptas nga refuzimi i PRK është tendenca e shtetit shqiptar, për të bllokuar çdo alternativë nacionaliste për zgjidhjen e problemit të Kosovës, Maqedonisë dhe shqiptarëve të Malit të zi. Shteti shqiptar nuk mund të pranojë të jetë aq injorant sa të mos i njohë aftësitë dhe potencialet e Abdi Baletës, Ata që sot drejtojnë shtetin kanë qenë miq dhe bashkëpunëtorë të Baletës dhe janë ata të parët që nuk mund të marrin seriozisht ambasadorin e Hoxhës, frymëzuesin e demonstratave me parullat “Li Pen Qen” dhe njeriun që mendon se ndërprerja e energjisë elektrike në Tiranë është kurdisur në Beograd dhe Athinë. Hektor Frashëri dhe gjithë qeveritarët përfshirë Berishën, e dinë mirë se sa është në gjendje Abdi Baleta të frymëzojë një lëvizje kombëtare për çlirimin e Kosovës dhe po aq mirë e dinë se sa shqiptarë do të merrnin armët për të luftuar krah për krah me Abdi Baletën. Në këto kushte refuzimi nuk është bërë për të shuar një lëvizje nacionaliste dhe as për të shmangur “konkurrentin” Baleta nga gara e ardhshme e zgjedhjeve. Duket se çështje të tilla janë futur në analet diplomatike dhe ky refuzim i shërben politikës së Berishës për diçka tjetër. Pas arritjes së marrëveshjes së Dejtonit, Berisha e tha publikisht se shteti shqiptar do të pranojë formulën e autonomisë së vitit 1974 për Kosovën. Negociatori i vetëm dhe i bindur për aplikimin e kësaj formule u shfaq Berisha, i cili tani duket se po jep shenja se është i gatshëm të bllokojë çdo alternativë tjetër shqiptare me një kusht: që Perëndimi të njohë dhe garantojë, atë dhe vetëm atë, si negociator të parë dhe të fundit për Kosovën. Që ndryshe do të thotë që Berisha kërkon pushtetin në Shqipëri në këmbim të një paqeje eterne në Kosovë. Flijimi i një partie nacionaliste, pavarësisht se kush është themeluesi i vërtetë i saj, ishte prova më e mirë që Berisha mund t’i jepte Perëndimit. Dhe për fat të mirë dhe të keq bashkë kurbani ishte Abdi Baleta. Edhe sikur pas partisë së Rimëkëmbjes Kombëtare të ishte Balet Abdiu, refuzimi do të ishte po ai. Gjë që tregon se ky akt nuk ka të bëjë aspak me inatet e pushtetit me Baletën, por vetëm me raportet e Berishës me Perëndimin. Megjithatë, ashtu si çdo ilaç ka reaksionin dhe kundërreaksionin e vet edhe ilaçi i Berishës për Kosovën ndoshta do t’i ketë të dy efektet. Kosovarët e sfilitur për katër vjet mes ëndrrës për Pavarësi dhe tundimit për të ruajtur statuskuonë, nuk e njohin Abdi Baletën siç e njohin shqiptarët këndej kufirit. Refuzimi i partisë Rimëkëmbja Kombëtare në Kosovë përkthehet kështu: Berisha pengon një parti që kërkon çlirimin e Kosovës. Normalisht ata nuk kanë pse t’i futen hollësirave të jetëshkrimit të Abdi Baletës për të kuptuar se kurba e këtij njeriu maksimumi mund të të çojë në ndonjë faqe të Don Kishotit të Servantesit. Për kosovarët dhe gjithë shqiptarët jashtë territorit të shtetit amë këto analiza do të ishin një humbje kohe. Për ta i rëndësishëm dhe njëkohësisht tepër i dhimbshëm do të ishte mesazhi i marrë nga shteti amë. E në këtë moment zhgënjimi, pikëpyetjet për politikën e Berishës janë shumë të mëdha. Përgjigjet i mbeten Berishës në një të ardhme jo të largët.
- Ambasadorët kanë përmasat e Shqipërisë
Lajmi i largimit të ambasadorit amerikan Josef Lake duhet të ketë gëzuar shumë pushtetin dhe frikësuar shumë opozitën. Një lajm i ngjashëm për një tjetër ambasador perëndimor do të ishte kaluar pa asnjë koment ose të paktën pa nota të theksuara keqardhje. Por historia e ambasadorëve amerikanë në Tiranë është më tepër se sa kontroverse, aq sa duke krahasuar Uillian Rajerson me Josef Lake, gjithkush mund të ngrejë një pikëpyetje: në fund të fundit a kanë pranuar që të dy për interesat e të njëjtin shtet? Përgjigja e parë do të ishte Jo. Por Amerika është pak a shumë po ajo si në vitin 1991 si në vitin 1996. Në të kundërt Shqipëria ka ndërruar shumë. Rajerson ishte njeriu i cili shkeli të gjitha standardet dhe normat diplomatike për t’u ngjitur në tribunat elektorale dhe për t’i kërkuar shqiptarëve vota për Partinë Demokratike. Kjo ndodhte në vitin 1991-1992, kur pa dyshim gjithë Perëndimi kërkonte shkatërrimin e komunizmit. Rajerson duhet ta ketë konsideruar veten diplomat të realizuar, kur komunistët humbën zgjedhjet e 22 Marsit. Ndoshta ai mund të mendojë se një përqindje e caktuar votash kundër komunizmit ishin vota të frymëzuara nga fjalimet e tij nëpër mitingjet e PD. Por pas 22 Marsit me shkatërrimin përfundimtar të institucioneve komuniste nuk ishin më dy sisteme të cilat konkurronin për hegjemoni në Shqipëri, por ishin disa alternativa të cilat, ashtu si edhe në vendin e Rajersonit, konkurronin për ta administruar ndryshe të njëjtin sistem: atë të cilin institucionalizojë 22 Marsin. Por edhe për gati dy vjet më vonë Rajerson punoi ashtu siç kish punuar deri përpara 22 Marsit. Ai u bë aktor dhe faktor në agresivitetin dhe burgosjen e opozitës me idenë se 22 Marsi nuk ishte i mjaftueshëm për të shkatërruar komunizmin shqiptar. Në fund fare ambasadori inicioi zgjedhjet e parakohshme, prej dy vjetësh të kërkuara nga opozita zgjedhje të cilat u quajtur Referendum. Më pas u largua. Disa javë më vonë bashkë më humbjen e Referendumit Lake u shfaq në Tiranë. Kryekëput ndryshe nga Rajerson ai vizitoi selinë e socialistëve dhe më pas i priti ata në selinë e tij. Më pas ai organizoi një shtrëngim historik duarsh mes Berishës dhe Cekës. Dhe akoma më pas lajmëroi se do të largohej nga Shqipëria. Dhe ç’është më e çuditshmja përpara zgjedhjeve. Për gati dy vjet në Tiranë ndryshe nga pararendësi i tij Lake kish treguar se i përfillte të dyja alternativat, atë në pushtet dhe atë në opozitë, si dy alternativa qeverisjeje dhe jo sistemi. Dhe është pikërisht kjo përfillje e cila ka përgatitur këtë fushatë zgjedhjesh. Opozita e sotme ka arsye të jetë e kënaqur kur mendon se SHBA nuk e vlerëson atë me syrin e Rajersonit, por me syrin e Lake. Ndërsa nga ana tjetër pushtetarët kanë arsye të jenë të pakënaqur kur duke bërë bilancin e Lake i rezulton se ai ka përfillur jo pak opozitën, gjë që nuk do ta uronin sigurisht. Megjithatë largimi i Lake përpara zgjedhjeve është absolutisht i njëjtë me atë të Rajersonit përpara Referendumit. Të dy ambasadorët kanë qenë konsulentë të parë në përgatitjen e të dy situatave. Por ata largohen pikërisht në kohën që vjen puna për t’u bërë protagonistë dhe dëshmitarë në humbjen e njëri ose në fitoren e tjetrit. Pasi janë hapur kartat ky mision nga SHBA i ngarkohet gjithnjë një të riu i cili nuk ka qenë i kompromentuar në parapërgatitjen e humbjes ose të fitores. Mbi bazën e kësaj logjike përgjigja më e mundshme e pyetjes së mësipërme është Po. Të dy ambasadorët kanë punuar për interesat e të njëjtit shtet: SHBA. Pavarësisht se zërat në Tiranë mund të komentojnë se Lake largohet nën presionin e Berishës. Që Berisha nuk mund të ketë qenë kurrë i kënaqur me Lake, kur e krahasonte atë me Rajerson, kjo nuk ka pse të diskutohet. Nuk mund të diskutohet po ashtu që Berisha do të kërkonte gjithkënd tjetër në vend të Lake. Por mbi të gjitha zëvendësimin e ambasadorit e ka përcaktuar skema tashmë e lexueshme amerikane: në varësi të asaj force që do të fitojë do të zgjedhë edhe ambasadorin e ri. Berisha dhe pasuesit e tij do të gënjenin veten në rast se do të mendonin se ishin ata që e larguan Lake. Ndërkaq nuk përjashtohet që ambasadori i ri të shfaqet në Tiranë përpara zgjedhjeve ose vetëm disa ditë përpara tyre. Por kjo vetëm për të observuar, por jo për të luajtur role… Në rastin më të keq, pra që ambasadori i ri vjen dhe në stilin e Rajersonit predikon fitoren e PD, atëherë opozita ka vërtet arsye për t’u shqetësuar. Por kjo ka pak gjasa të ndodhë… Shqipëria e sotme nuk është më ajo e vitit 1991… Në të kundërt Amerika është po ajo që sipas përmasave të Shqipërisë përcakton përmasat e misionarëve.
- Çuditërisht mes NATO-s dhe Rusisë!
Amerikanët duhet të jenë bërë pishman për tërheqjen e ambasadorit Lake kur kanë dëgjuar deklaratat e fundit të zëvendësministrit të jashtëm rus. Tërheqja e ambasadorit në këtë situatë mund të përkthehet edhe si një shenjë e tkurrjes së interesave amerikane në një kohë që Rusia dëshmon që ka interesa në Shqipëri. Uashingtoni patjetër nuk mund të rri indiferent kur dëgjon që Krilov zëvendësi i aq të përfolurit Primakov, i bën thirrje të hapur Tiranës për të mos u anëtarësuar në NATO. Sidomos shqetësuese është ftesa e Krillov në kontekstin shqiptar. Shqipëria e cila ndryshe nga të gjitha vendet e tjera të Lindjes ishte e para që u shkëput nga Moska, befas e gjen veten në një hark gjeopolitike me qendër në Rusi. Prej katër vitesh liderët shqiptarë kanë gëzuar dhe shfrytëzuar avantazhet që u krijoi Enver Hoxha i cili në vitin 1967 e nxori vendin nga Traktati i Varshavës. Për katër vjet ata e kanë reklamuar me të madhe guximin e Hoxhës sa herë që trokisnin në portat e NATO-s. Por pikërisht në momentin ku NATO duket më afër se kurrë, nga poli tjetër vjen një paralajmërim i cili duhet të ketë edhe konsekuencat e veta. Natyrisht për vendimmarrësit shqiptarë çështja shndërrohet në Pazar: me NATO-n apo me Moskën. Por më tepër se për Tiranën, apeli i Krillov ishte për Perëndimin. Ndryshe nga ç’mund të mendohej deri disa kohë përpara, pra se Moska nuk do të toleronte një zgjerim të NATO-s në kufijtë e saj, në Poloni, Hungari, Bullgari, Rumani etj. Tashmë kufijtë u zgjatën deri në Tiranë. Qoftë për NATO qoftë për Tiranën, kjo është shumë çorientuese. Në rast se kur negocionte me Tiranën, NATO nuk para mendonte reagimin rus, si në rastin e Bullgarisë, tashmë ky reagim duhet llogaritur edhe për Shqipërinë. Që do të thotë se Tirana figuron si pjesë e bllokut të kuq në hartat e influencës ruse dhe se abandonimi i Traktatit të Varshavës nuk paska qenë i mjaftueshëm. Vizita e Krillov patjetër që do ta vështirësojë procesin gjithaq të ngadalshëm të integrimit në NATO. Megjithëse zyrtarët shqiptarë deklaruan se nuk duan t’i përgjigjen Moskës, nuk është në dorën e tyre të vendosin. Por edhe më bindës do të ishte pozicioni i Shqipërisë pro NATO-s,në rast se edhe forcat të cilat aspirojnë pushtetin do të deklaroheshin për anëtarësimin. Dhe në fakt, ndryshe nga socialistët bullgarë, opozita shqiptare e ka më të lehtë të mbajë një qëndrim refraktar ndaj Moskës. Ajo prej gati 30 vjetësh nuk i detyrohet më aspak asaj. As në aspektin ideologjik dhe as në atë ekonomik. Kështu që një qëndrim unik do të ishte e vetmja garanci që mund të jepte Shqipëria, e cila ka nevojë më tepër për NATO, se sa shumë vende të tjera të bllokut. Në vijim të kësaj logjike tërheqja e ambasadorit amerikan nga Tirana për një periudhë të pacaktuar është një gur shahu më pak në tryezë.
Ben Blushi