BEN BLUSHI: NIKOLINI, BLENDI FEVZIU DHE UNË
Aktualitet Kryesore E Shtunë, 8 Korrik 2023 15:59
Nga Ben Blushi-
Nikolinin e takova në një lokal me emër francez në Shëngjin. Unë po haja një sallatë me kastraveca, Nikolini po shiste libra. Për herë të parë e kisha takuar përpara 34 vitesh në fshatin Rrilë të Lezhës. Për herë të fundit para 6 vitesh në një fshat tjetër, ku kisha shkuar për të mbledhur vota.
Kur jemi takuar për herë të parë Nikolin ?
Në vitin 1989, tha Nikolini
Atëherë isha student, thashë unë
Ju kishin sjellë për të punuar tokat, tha Nikolini
Po ti cfarë bëje në fshat Nikolin?
Isha punonjës i kulturës, tha Nikolini
Çfarë i bëje ti kulturës Nikolin?
Merresha me drama, tha Nikolini
Ke vënë drama në skenë Nikolin?
Kam vënë, tha Nikolini
Më thuaj një dramë Nikolin
Krisma në Paris, tha Nikolini
Është ajo drama ku Avni Rustemi vret Esat Pashën, Nikolin?
Ajo është, tha Nikolini
Ti ishe rregjisor Nikolin?
Unë isha rregjisor, tha Nikolini
Kush e luante Avni Rustemin, Nikolin?
E luante Kol Kunora, tha Nikolini
Po Esat Toptanin kush e luante?
Ndu Rrapi, tha Nikolini
Çfarë ishte Ndu Rrapi, Nikolin?
Ishte roje kooperative, tha Nikolini
Ti kishe dhe një karrocë Nikolin.
Kisha dhe karrocë dhe kalë, tha Nikolini
Po pse kishe karrocë Nikolin?
Bleja gazetat në qytet, tha Nikolini
Kali quhej Zubizareta, thashë unë
Ashtu quhej, tha Nikolini
Po pse quhej ashtu, thashë unë
Ti ia vure emrin Zubizareta, tha Nikolini
A e di kush ishte Zubizareta, Nikolin?
Ishte futbollist, tha Nikolini
Ishte portjeri i Barcelonës, Nikolin.
Ai ka luajtur kundër Vlorës, tha Nikolini
E kam takuar në Rinas, thashë unë
Kishte hap të madh, tha Nikolini
Portjeri apo kali, e pyeta
Kali, tha Nikolini
Ishte kalë i bukur, thashë unë
Blendi Fevziu e ngiste mirë, tha Nikolini
Ca i bënte Fevziu Zubizaretës, Nikolin?
I gjuante me kamzhik, tha Nikolini
Po ty të vinte keq Nikolin ?
Une i gjuaja dhe vetë, tha Nikolini
Ku na coje me karrocë, e pyeta
Ju coja në fushë, tha Nikolini
Po ne nuk punonim Nikolin.
Ju nuk kishit ardhur për punë, tha Nikolini
Kushedi sa na shante fshati, thashë unë
Prapë ishit djem të mirë, tha Nikolini
Çfarë bënim gjithë ditën, Nikolin?
Bënit qejf, tha Nikolini
Çfarë qejfi bënim, Nikolin?
Futeshit në det me vajzat, tha Nikolini
Po Fevziun e sheh në televizor, Nikolin ?
E shoh cdo natë, tha Nikolini
Si të duket Nikolin ?
Ka qenë djalë i mirë, tha Nikolini
Pse tani si është, e pyeta
Ka ndryshuar pak, tha Nikolini
Si ka ndryshuar Nikolin ?
Po ja sillet pak, tha Nikolini
Si sillet Nikolin?
I gjuan të ftuarve me kamzhik, tha Nikolini
Eshtë mësuar me Zubizaretën, thashë unë
Me siguri, tha Nikolini
Po tani me se merresh Nikolin?
Shes libra, tha Nikolini
Lodhesh shumë, thashë unë
Eci gjithë ditën, tha Nikolini
Sa ecën, Nikolin?
20 kilometra, tha Nikolini
Sa libra shet Nikolin ?
Sot kam shitur 25, tha Nikolini
Ça shet më shumë Nikolin?
Dashuri dhe histori, tha Nikolini
Kush i blen, e pyeta
Gratë dhe kosovarët, tha Nikolini
Do blej dhe unë një libër, thashë unë
Ti nuk je as grua as kosovar, tha Nikolini
Po pastaj, thashë unë
Do ta fal unë librin, tha Nikolini
Jo do ta blej, thashë unë
Merr “Biseda rreth Seksit “, tha Nikolini
Nuk mësohet seksi nga librat, Nikolin
Ke të drejtë, tha Nikolini
Po marr “Të Huajin” e Albert Kamysë, thashë unë
Për cfarë flet, tha Nikolini
Për një djalë që vrau një arab në plazh, thashë unë
Pse e vrau, tha Nikolini
Se i ra dielli në sy, thashë unë
Qenka kot, tha Nikolini
Po sikur dikush të vriste një arab këtu në Shëngjin, Nikolin?
Nuk ndodh kjo,tha Nikolini
Po pse nuk ndodh Nikolin ?
Në Shëngjin nuk ka arabë, tha Nikolini