
Katër gjimnazistë të shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës janë shoqëruar nga policia malazeze në Kotor, pas një incidenti të ndodhur gjatë një ekskursioni në Malin e Zi.
Nxënësit, të gjithë djem, kanë kaluar natën në ambientet e policisë dhe më pas janë lënë të lirë.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur teksa grupi i nxënësve po kthehej nga dreka. Gjatë rrugës, ata janë përfshirë në një konflikt me një grua të moshuar vendase, e cila i kishte pyetur se nga vinin.
Në përgjigje, gjimnazistët kanë bërë me duar simbolin e shqiponjës dhe kanë qeshur. Sipas raportimeve, e moshuara më pas ka goditur me shuplakë njërin prej nxënësve, duke bërë që situata të tensionohej.
Gruaja ka njoftuar policinë, duke pretenduar se ishte ndier e provokuar nga veprimet e të rinjve. Pas mbërritjes së efektivëve, katër gjimnazistët janë shoqëruar në polici, ku kanë qëndruar gjatë natës.
Pranë nxënësve ka qëndruar edhe një mësuese shoqëruese, e cila është paraqitur në ambientet e policisë pas incidentit.
Pas përfundimit të procedurave, katër të rinjtë janë lënë të lirë. Sipas informacioneve të raportuara, atyre u është kërkuar të mos përsërisin gjeste me simbole kombëtare.
Për ngjarjen janë vënë në dijeni edhe strukturat arsimore në Durrës dhe Ministria e Arsimit.
