Benet Beci: Projekti më i mirë i Qeverisë Berisha, ai i rrugëve rurale. I bërë me donatorët që unë kam qenë drejtori i fondit
Kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci thotë se projekti më i mirë i qeverisë Berisha ka qenë ai i rrugëve rurale. I ftuar në “Milori Live”, Beci shton se nuk ka qenë asnjëherë më parë i përfshirë në politikë derisa është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste, mandat të cilin e la për të kandiduar për Shkodrën.
”Unë nuk kam qenë asnjëherë në politikë, as në kohën kur kam bashkëpunuar me ish-kryeministrin Berisha e derisa të shkoja në Parlament. Kam qenë drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit apo i KESH-it, jo anëtar partie dhe nuk jam as sot. Nuk kam qenë kurrë.
Arsyeja pse është menduar me një lloj asocimi politik ka qenë se gjatë qeverisë së ish-kryeministrit Berisha, projekti më i mirë dhe ndoshta më i suksesshmi i asaj qeverie ka qenë projekti i rrugëve rurale, i bërë me donatorët që unë kam qenë drejtori i fondit. Ishte produkti më i mirë që Qeveria Berisha prodhoi nga programi. Po kështu edhe gjatë qeverisjes së qeverisë Rama, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me donatorët arriti të bëjë disa nga projektet zhvillimore të jashtëzakonshme në qytete”,-tha Beci.