BENET BECI: SFIDAT PËR SHKODRËN NË RRUGËN E ZHVILLIMIT
Nga Benet Beci-
Të dhënat e regjistrimit të popullsisë sipas INSTAT-it tregojnë një të vërtetë jo të këndshme të cilën e kemi ditur dhe ndier më herët. Shkodra si bashki dhe si qark ka humbur një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Bashkia Shkodër duket të ketë një ritëm të rënies së popullsisë më të shpejtë se bashkitë e tjera të mëdha të vendit. Të dhëna më të detajuara nga INSTAT-i do të na tregojnë ku saktësisht ka ndodhur rënia e popullsisë, por le t’ua lëmë analizën statisticienëve, analizë që do të na lejojë ndërtimin e politikave më të mira.
Kam vënë re këto ditë një grup komentesh nga politikanë apo politikanë aspirues që e valëvisin këtë fakt me një farë mllefi përzier me gëzim në vazhdën e pompimit vetëm të lajmeve të këqija apo akuzave banale për ta nxjerrë në një dritë të keqe Shkodrën. E bëjnë këtë duke harruar se kanë qenë në drejtimin e kësaj bashkie për dekada pa bërë pikën e reflektimit nëse kanë ndonjë përgjegjësi në lidhje me situatën, nëse gjërat mund të kishin shkuar ndryshe me tjetër vizion, vullnet për të kapërcyer pengesat apo dëshirë për bashkëpunim. Nuk jam sidoqoftë për të bërë politikë me të shkuarën, megjithëse ka plot për të thënë se si punët janë bërë keq e po bëhen më mirë. Shkodra ka pasur mjaft retorikë boshe pa bereqet, një faktor që ka kontribuar jo pak edhe në shifrat e larta të emigracionit.
Kemi filluar, disa mund të thonë me hapa të vegjël, por jemi në rrugën e duhur. Shërbimet e bashkisë mendoj se janë përmirësuar duke filluar nga punët publike, asfaltimet e rrugëve dhe mirëmbajtja e përmirësimi i trotuareve dhe korsive të biçikletave, menaxhimi i mbetjeve, përmirësimi i tregjeve, sistemi i ndriçimit të disa rrugëve në qytet e në Velipojë, kujdesi për sinjalistikën e gjelbërimin, mundësitë e lundrimit në liqenin e Shkodrës, mirëmbajtja e kanaleve dhe më gjerë infrastruktura rurale, te rritja e performancës së administratës, fuqizimi i eventeve kulturore, artistike e sportive, e në përgjithësi përmirësimi i imazhit të Shkodrës. Një bilanc të plotë të turizmit do ta bëjmë në fund të sezonit, por të dhënat që kemi në nivel rajonal dhe bashkie tregojnë se rritja dhe shpërndarja e turistëve në territor dhe gjatë gjithë vitit është ndjeshëm më mirë sesa vitin e kaluar; janë konsoliduar Velipoja dhe Thethi, por kemi futur qartazi qytetin në hartën e must-do të Shqipërisë. Kemi bashkëpunuar ngushtë gjatë këtij viti me qeverinë, ministritë e agjencitë qendrore dhe donatorët e huaj për t’u hapur rrugë një sëre projektesh transformuese të cilat do të fillojnë me vrull nga puna këtë vjeshtë. Projekte të mëdha kombëtare me fokus Shkodrën si autostrada dhe hekurudha janë në proces. Ndërsa të gjitha këto janë të nevojshme, mund të mos jenë të mjaftueshme për sfidën e emigracionit, por po bëjmë sa është e mundur për të pasur një qytet të mirë për fëmijët e të rinjtë, një vend për familjet e reja që ta ndërtojnë jetën e tyre në Shkodër. Kemi plot avantazhe që ka ardhur koha për t’i shfrytëzuar e do t’i shfrytëzojmë. Ka interes si asnjëherë tjetër për të investuar në Shkodër nga vetë banorët, nga shkodranët që kanë emigruar dhe biznese të tjera brenda apo jashtë vendit. Sfida jonë është që këtë potencial dhe interes ta kthejmë në mundësi e mirëqenie për banorët e bashkisë sonë.
Kemi një sfidë të madhe përpara; nuk është sfidë vetëm e imja, por e përbashkët e të gjithë qytetarëve të bashkisë sonë dhe e përfaqësuesve politikë, të biznesit, të shoqërisë civile, të akademisë dhe të të gjithë arsimit, elitave kulturore e sportive.
Kemi nevojë ta fusim Shkodrën në rrugën e duhur dhe pa kthim të zhvillimit e fuqizimit shoqëror, ekonomik dhe kulturor.