Benet Beci: Turizmi – ekonomia e re e Shkodrës
-Nga Benet Beci, kryebashkiak i Shkodrës (dhe korrespodent vullnetar i KOHA JONE)-
Sot mora të dhënat e fundit nga zyra e taksave në Bashki për netët e qëndrimit të vizitorëve gjatë verës.
Në periudhën qershor-gusht kemi rreth 30% net qëndrimi më shumë se në vitin 2023 dhe rreth 60% më shumë se në vitin 2022.
Për të gjithë vitin deri tani, në tetëmujorin janar-gusht, kemi gjithashtu një rritje prej 32% krahasuar me vitin 2023 dhe rreth 70% në raport me vitin 2022.
Konstatoj me kënaqësi se rritja e netqëndrimeve në periudhën janar- maj, e quajtur si jashtë sezoni, është rritur me 75% në raport me vitin 2023 dhe 133% (më shumë se dyfishim) krahasuar me vitin 2022.
Ndërsa rritja e muajve të verës është bërë nga Velipoja e Thethi, në muajt e tjerë kjo rritje i dedikohet kryesisht qytetit.
Jam i ndërgjegjshëm se këto shifra tregojnë dy gjëra të rëndësishme:
Së pari, rritjen e shpejtë të numrit të turistëve në territor, së dyti, rritjen e efikasitetit në mbledhjen e taksës së fjetjes, të dyja lajme shumë të mira.
Mendoj në fakt se këto shifra janë ende shumë poshtë numrit real të netëve të fjetjes, pasi për një pjesë, subjektet nuk i deklarojnë dhe nuk e paguajnë taksën e bashkisë. Kësaj do t’i kthehem një herë tjetër pasi kemi ende shumë për të bërë në këtë drejtim.
Sot mendoj duhet t’i gëzohemi faktit që rritja e turizmit është e shpejtë dhe e qëndrueshme në vite.
Duhet gjithashtu t’i gëzohemi faktit që turizmi po fillon ngadalë të shtrihet gjatë vitit, duke e bërë atë një biznes të qëndrueshëm për shumë bare, restorante, hotele, agjenci turistike, transport e shumë njësi që ofrojnë produkte turistike në bashkinë tonë.
Së pari, kjo ecuri e mbarë u dedikohet investitorëve, biznesesve e ushtrisë së madhe të njerëzve që shërbejnë në këtë fushë. Me aq sa dinë e kanë, gjithmonë duke u përpjekur të rriten e ta përmirësojnë ofertën e biznesit të vet, secili prej tyre i shton pak lezet mikpritjes shqiptare me një batutë Shkodre😁.
Padyshim i dedikohet edhe rritjes së përgjithshme të turizmit në vend. Por unë besoj se edhe politikat e bashkisë këtë vit kanë dhënë efekt në këtë drejtim.
Eventet që zgjuan interesin e shqiptarëve brenda e jashtë kufijve, promovimi i territorit dhe kujdesja për shtimin e produkteve turistike e kanë sjellë në vëmendje dhe pasuruar ofertën turistike që ka territori ynë.
Sigurisht kemi shumë për të përmirësuar.
Kemi mësuar shumë këtë sezon e do të bëjmë patjetër më mirë në tjetrin.
Këtij territori me mundësi të jashtëzakonshme, për një kohë shumë të gjate i kemi kushtuar vetëm vjersha e këngë. Do të vazhdojmë ta bëjmë si dimë ne në Shkodër.
Por kaq nuk mjafton.
Me projektet e reja do të formësojmë një Shkodër të re, ngritur mbi traditat më të mira.
Është koha që të krijojmë mundësitë e të jetuarit mirë e me dinjitet.
Për këtë ka shumë punë e nevojë për kontributin e secilit. Fillimi duket i mbarë!