Beqaj: Më shumë bashkëpunim ndërkombëtar në shëndetësi

Konferenca trajtoi kryesisht katër çështje me rëndësi parësore për shëndetin publik, dhe përkatësisht, situatën dhe ecurinë e zbatimit të rregulloreve të reja shëndetësore ndërkombëtare, çështjen e rezistencës ndaj antimikrobikëve, efektet ndaj shëndetit publik të modeleve të reja të sjelljes (lifestyle) dhe ndikimet e migracionit në vendet e Rajonit të Mesdheut. Vecanërisht, pësa i përket çështjes së parë të rregulloreve, u vu theksi në rëndësinë që ka bashkëpunimi dhe përgjigja e koordinuar e sistemeve të kujdesit shëndetësor të vendeve pjesëmarrëse të këtij Rajoni në kushtet e kërcënimit të përhapjes së infeksioneve të shkaktuara nga përhapja e virusit “Ebola”.

 

Gjatë punimeve të Konferencës, z. Beqaj zhvilloi një takim pune me ministren italiane të Shëndetësisë, znj. Beatrice Lorenzin, në të cilin të dy bashkëbiseduesit ranë dakord që brenda pranverës së ardhshme, të dy vendet të nënshkruajnë një protokoll të ri bashkëpunimi në sektorin e kujdesit shëndetësor, duke rijësuar protokollin e mëparshëm pesë-vjecar të nënshkruar në 2007.

 

Gjithashtu, ministri Beqaj u takua edhe me z. Andreas Ullrich, Drejtorin e Qendrës së Kontrollit (Head of Cancer Control) pranë selisë qendrore të OBSH-së në Gjenevë, me të cilin u ra dakord që të intensifikohet bashëpunimi në fushën e kujdesit shëndetësor për sëmundjet tumorale në vend.

 

Ministri Beqaj pati mundësinë të takohet edhe me z. Alessandro Nanni Costa, Drejtorin e Qendrës Kombëtare të Transplanteve të Italisë, ku u ra dakord për të bashkëpunuar për ngritjen e kapaciteteve të një qendreje transplantesh në Shqipëri.

 

Kreu i shëndetësisë shqiptare zhvilloi një takim pune me z. John F. Ryan, Drejtor i Drejtorisë së Shëndetit dhe Konsumatorit në Komisionin Evropian, ku u ra dakord që të intensifikohen marrëdhëniet dhe bashkëpunimi në fushën e sektorit të kujdesit shëndetësor ndërmjet Komisionit Evropian dhe Shqipërisë, i cili, ashtu siç vërejtën me të drejtë të dy bashkëbiseduesit, nuk ka qenë i mjaftueshëm deri më sot.

 

E konceptuar si një mundësi për të promovuar rolin kyç të Italisë në marrëdhëniet me vendet e Rajonit të Mesdheut në “perspektivën e solidaritetit, forcimin e veprimtarive të partneritetit dhe të rritjes së përbashkët të sistemeve shëndetësore,” në Konferencë u diskutuan gjithashtu edhe projekte Euro-mesdhetare të mbështetura dhe të financuara nga Ministria italiane e Shëndetësisë.

 

Këto projekte, kanë ofruar një model të vlefshëm për forcimin e mëtejshëm të partneritetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ofrojnë mundësinë për krijimin e një rrjeti të marrëdhënieve mes partive teknike dhe politike, pavarësisht përkatësisë në realitete të ndryshme sociale me qëllimin e përbashkët të përmirësimit të nivelit të shërbimit të ofruar nga sistemet kombëtare.

SHKARKO APP