Beqaj: Në 2 vjet, barna më të lira dhe me cilësi të lartë

Ministri i Shëndetësisë ka pohuar në vendin tonë qarkullojnë mjaft barna të gjeneratës së fundit, të sapoprodhuara në tregun botbror

Barna më të lira, me një cilësi më të lartë, por edhe shumëllojshmëri të tyre rezultojnë se janë regjistruar gjatë dy viteve të fundit në vendin tonë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të barnave. Por mbi të gjitha, këto lloj barnash, në të shumtën e rasteve, janë edhe të rimbursueshme, sidomos kur bëhet fjalë për sëmundjet e zemrës apo ato tumorale.

Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, në një dalje për mediat ka pohuar se vetëm gjatë vitit 2015 janë lëshuar 48.2 milionë pulla sigurie nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe e Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) në krahasim me 41 milionë të lëshuara në vitin 2012, duke rritur praninë e tyre me 17.5% më shumë. Por ajo që është më e rëndësishme, është fakti se të sëmurët me kancer, ata me probleme kardiake dhe hipertension, kanë qenë edhe përfituesit kryesore të listës së rimbursimit gjatë këtyre tre viteve të fundit. “Çfarë ka ndodhur me listë e barnave të rimbursueshme? Të shtuara për herë të parë në 2013 janë 19 barna, në 2014 janë 56, në 2015 janë 29 dhe në 2016 kemi përsëri 56 barna. Pra, nga viti 2014 e në vazhdim kemi rreth 140 barna të shtuara,” ka pohuar Ministri Beqaj. Në Programin e Qeverisë për kujdesin shëndetësor, vazhdoi më tej ai, “ne jemi angazhuar për një vëmendje më të veçantë në sëmundjet kardiovaskulare dhe ato tumorale, për faktin se kanë edhe barrën më të lartë të sëmundshmërisë në Shqipëri. Për sëmundjet tumorale në 3 vjet e kemi pasuar Listën e Barnave me Rimbursim me 25 barna për sëmundjet tumorale,” – tha ai, ndërsa ka theksuar se për sëmundjet e zemrës në këto vjet janë shtuar 30 barna.

Por ajo që vlen të theksohet, është se në këto dy vitet e fundit rezulton se janë 761 barna të regjistruara rishtazi në vendin tonë, duke sjellë një pasurim të tregut me shumëllojshëri. “Nga 1 shtatori 2014, ku praktikisht ka filluar të zbatohet ligji i ri i barnave, dhe deri më 31 gusht 2016, në Shqipëri janë regjistruar për herë të parë 671 barna, praktikisht 1 bar në çdo ditë pune. AKBPM-ja duhet përgëzuar për volumin e madh të punës që ka përballuar duke ia dalë që asnjë bar të mos regjistrohet më shumë se sa afati ligjor, i cili është rreth 210 ditë kalendarike,” ka pohuar kreu i shëndetësisë, ndërsa ka pohuar se këto barna të regjistruara i përkasin origjinatorëve.  Të dhënat tregojnë se në 2013 origjinatorët përbën 35% të vlerës së barnave që vinin në Shqipëri, kurse në 2015 përbëjnë 55%.

Por në këto dy vjet, përveçse kemi një sasi të madhe të barnave të regjistruara në vendin tonë, ato rezultojnë se janë me çmim më të ulët, por nga ana tjetër, vijnë edhe nga firma prestigjioze dhe barna të gjeneratës së fundit të sapoprodhuara në tregun botëror. “Sigurisht, që ka patur mendime, përpjekje, ankesa që vërtet ka ulje të çmimit të barnave por në kurriz të cilësisë: ‘Po ikin kompanitë e mëdha, po ikin kompanitë me emër,’ ishin disa nga këto ankesa. Unë po ilustroj 6 barna: “Sovaldi”, bari është regjistruar për herë të parë në BE në janar 2014, kurse në Shqipëri në shtator 2015. “Entresto” është regjistruar në Amerikë në korrik të 2015, kurse në Shqipëri në tetor të 2015, për faktin se ligji i ri i barnave thotë: ‘Nëse bari është i regjistruar në FDA në Amerikë apo në EMA në Evropë, për një muaj mund të regjistrohet edhe në Shqipëri’.” Dhe praktikisht, është një procedurë më shumë formale, notifikimi dhe një analizë e plotë regjistrimi, sepse kemi vendosur që FDA dhe EMA-s ti besojmë maksimalisht,” ka pohuar Beqaj.

Ligji i ri i barnave dhe pajisjeve mjekësore i vënë në zbatim gjatë këtyre dy vjetëve, ka krijuar një mjedis më të mirë për sigurinë e barnave, rritjen e vëllimit të tyre në treg, si dhe ka rritur krijimin e një mjedisi më të ndershëm komercial, qoftë për tregun e barnave pasi ka patur një mjedis shumë spekulativ, qoftë për patentat, apo qoftë edhe për gjenerikët.

Fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takimin me mediat:

Dy vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të barnave, rezulton se në këtë periudhë kohore, numri i pullave të lëshuara nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore në vitet e fundit është: Në 2012 kemi 41 milionë, në 2013 kemi 41.4; në 2014 kemi 44.5; dhe në 2015, kemi 48.2. Pra, paketime barnash në Shqipëri në 2015, krahasuar me 2012, janë 17.5% më shumë. Më shumë barna të negociuara në treg, por ne besojmë, se janë edhe më shumë barna të vendosura në mënyrë të rregullt, duke pakësuar ato që qarkullojnë në mënyrë jo të rregullt.

Më shumë barna në treg të cilat më pas reflektohen me më shumë barna në rimbursim dhe më shumë barna në spitale.

Çfarë ka ndodhur me listë e barnave të rimbursueshme?

Të shtuara për herë të parë në 2013 janë 19 barna, në 2014 janë 56, në 2015 janë 29, dhe në 2016, kemi përsëri 56 barna. Pra, nga viti 2014 e në vazhdim, kemi rreth 140 barna të shtuara.

Në Programin e Qeverisë, po ti kthehemi atij tek kujdesi shëndetësor, ne jemi angazhuar për një vëmendje më të veçantë në sëmundjet kardiovaskulare dhe ato tumorale, për faktin se kanë edhe barrën më të lartë të sëmundshmërisë në Shqipëri.

Çfarë ka ndodhur me rimbursimin në këto dy grupsëmundjesh?

Për sëmundjet tumorale në 2013 janë shtuar 2 barna, në 2014 janë shtuar 7 barna, në 2015 janë shtuar 8 barna dhe në 2016, kemi 11 barna të shtuara në listën e rimbursimit. Pra, në 3 vjet, e kemi pasuruar Listën e Barnave me Rimbursim me 25 barna për sëmundjet tumorale. Po ti bashkojmë edhe me më shumë barna dhe fonde të furnizuara dhe në QSUT për sëmundjet tumorale, të gjitha bashkë, pra, furnizim spitale dhe rimbursim, rezulton se kemi rritur ndjeshëm furnizimin me barna për këto grupsëmundjesh.

Vijmë tek sëmundjet e zemrës, ku kemi 2 barna të shtuara në listën e rimbursimit në 2013, në vitin 2014, 12 barna, në vitin 2015, kemi 4 barna, dhe në vitin 2016, kemi 15 barna. Pra, edhe këtu, kemi 30 barna të shtuara në 3 vite, në rimbursim për sëmundjet e zemrës.

Nga 1 shtatori 2014 ku praktikisht ka filluar të zbatohet ligji i ri i barnave, dhe deri në 31 gusht 2016, në Shqipëri, janë regjistruar për herë të parë 671 barna, praktikisht 1 bar në çdo ditë pune. Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore duhet përgëzuar për volumin e madh të punës që ka përballuar, duke ia dalë që asnjë bar të mos regjistrohet më shumë se sa afati ligjor, i cili është rreth 210 ditë kalendarike, në mos gaboj.

Në shtator 2013 kur unë kam marrë detyrën, kishte në arkivin e AKBPM-së kërkesa të depozituara prej dy vjetësh, ashtu siç edhe një javë përpara se sa të vija në detyrë, kishte një bar të regjistruar për 48 ditë. Kjo gjë nuk ndodh më, pasi ka një seriozitet në trajtimin e aplikimeve, ato edhe refuzohen apo kthehen për plotësim, por në dy vjet janë 671 barna të reja.

Sigurisht, që ka patur mendime, përpjekje, ankesa që vërtet ka ulje të çmimit të barnave por në kurriz të cilësisë: ‘Po ikin kompanitë e mëdha, po ikin kompanitë me emër;’ ishin disa nga këto ankesa.

Unë po ilustroj 6 barna:

“Sovaldi” është regjistruar për herë të parë në Bashkimin Evropian në janar 2014, kurse në Shqipëri në shtator 2015. Është një bar shumë i rëndësishëm, ne e kemi edhe në rimbursim që nga viti i kaluar, përdoret për të shëruar Hepatitin C. Kura e rimbursuar falas për pacientët ka qenë rreth 60 mijë euro. Këtë vit, kemi çmim më të ulët, po të Sovaldit, me rreth 40 mijë euro.

“Entresto” është regjistruar në Amerikë në korrik të 2015, kurse në Shqipëri në tetor të 2015, për faktin se ligji i ri i barnave thotë: “Nëse bari është i regjistruar në FDA në Amerikë apo në EMA në Evropë për një muaj mund të regjistrohet edhe në Shqipëri”. Dhe, praktikisht, është një procedurë më shumë formale, notifikimi dhe një analizë e plotë regjistrimi, sepse kemi vendosur që FDA-së dhe EMA-s, ti besojmë maksimalisht.

Bari tjetër, “Imbruvica”, regjistruar për herë të parë në tetor 2014, kurse në Shqipëri në gusht 2015. Pra, po ilustroj barna cilësorë të kompanive origjinatore, 12 muaj nga regjistrimi, o në BE, o në SHBA, që janë regjistruar edhe në Shqipëri.

Mund të vazhdojmë edhe me “Stivarga”-n apo “Viekirax”-in.

Pra, nuk është i vërtetë  pretendimi, dyshimi, qoftë edhe akuza, se kompanitë e mëdha po ikin nga Shqipëria.

Për mua është e rëndësishme që kompanitë të vendosin barnat e tyre ne treg, se si në kuadrin e globalizimit, kompanitë kanë zyra për faqësie me 5 apo me 7 vetë, kjo është një gjë që pak më intereson.

Një element tjetër shumë i rëndësishëm është se ne kemi ulur ndjeshëm çmimin e barnave, por barnat e të cilave çmimet janë ulur më shumë, nuk janë patentë apo origjinatorë, unë preferoj të përdor fjalën ‘origjinatorë’. Në 2013, origjinatorët përbënin 35% të vlerës së barnave që vinin në Shqipëri, kurse në 2015 përbëjnë 55%.

Dhe pse ka ardhur kjo?

Sepse ne ishim në situatë anormale, vetëm ne dhe Maksika në botë, ku gjeneriku ishte më i shtrenjtë se sa origjinatori.

Çfarë thanë ne?

Një sistem që kontrollon çmimin e barit me vendin e origjinës, me 5 vende reference rreth Shqipërisë, dhe me faturat reale të 6 muajve të fundit kur i paraqet në Agjenci. Pastaj, thamë se nuk duam gjenerikë më shumë se sa 50% e origjinatorit. Këto kanë sjellë që sot në Shqipëri, të kemi në vlerën e asaj çka importojmë, që origjinatorët të zënë më shumë se gjysmën.

Për rrjedhojë, edhe vlera e barnave të vendosura në treg në Shqipëri para fillimit të aplikimit të marzheve  të tregtimit që janë vlera CIF (Cost Insurance Freight) në doganë, apo vlera ExWorks, në fabrikat e prodhimit vendas në 2015, ka qenë 122 milionë euro, kurse në 2013 ka qenë 153 milionë euro. Pra, më lirë vijnë apo dalin nga fabrika, kemi ulur dhe marzhet, kemi hequr dhe TVSH-në, dhe gjithë ky bilanc, shikoni se çfarë është shpenzuar nga shqiptarët në 2013 për barnat, përbënte 2.2% të PBB-së, sot është 1.5%.

Dhe gjithmonë, ju lutem kthehuni pullave të sigurisë të lëshuara. Shpenzojmë më pak për barnat, kemi më shumë barna në treg, dhe origjinatorët janë më shumë se sa gjysma e vlerës që vendoset në treg, dhe kjo ka sjellë që në momentin që vijnë në Shqipëri apo dalin nga fabrika, në mënyrë mesatare, nëse një ambalazh ka kushtuar 3.7 euro në vitin 2013, në vitin 2015, ai ka kushtuar 2015 euro.

Pastaj mund ti kthehemi se sa është ulur çmimi i barnave, pasi njerëzit kanë një memorie të shkurtër dhe mendojnë se kështu ka qenë gjithmonë apo kështu duhet të ishte. Por, po ti kthehemi disa barnave të njohur për publikun, kemi “Eudorlin”-ën që është 80% më pak, i njëjti bar; “Vermox” 74% më pak, “Daktarin” 52% etj., apo edhe medikamente të tjera, që ju i ndeshni çdo ditë.

Tashmë që është dy-vjetori i futjes në fuqi të ligjit të ri, por që përkon dhe me tre-vjetorin e fillimit të punës së Qeverisë, e gjykuam që të ndanim me ju këtë informacion, këto gjetje për t’iu lënë ju vetë që të bëni analizat dhe vlerësimet tuaja, dhe sigurisht nëpërmjet jush edhe publikut.

Pyetjet e gazetarëve

 Z. Ministër, ju thatë që ka barna më të mira, më cilësore nga viti 2013 e në vazhdim, ndërkohë që për 3 muaj mediat nuk rreshtën së thëni që në spitalin e fëmijëve në Pediatrinë e QSUT-së mungonte një medikament jetësor,“Asparaginaza”, dhe ju u justifikuat se ministria kishte dështuar me tenderin për 3 herë, dhe më pas, çuditërisht, u gjend. Pyetja ime ishte: Sot që ju thoni se ka më shumë ilaçe në spitale si është e mundur që për 3 muaj rresht mungoi ilaçi që i përket targetgrupit të sëmundjeve tumorale?

Ministri Beqaj: Sigurisht, që ne kemi shumë punë për të bërë, për të përmirësuar një furnizim të plotë, por sidomos të vijueshëm, të tregut, të spitaleve apo edhe të pjesës së rimbursimit.

Unë nuk merrem me këtë pjesën e ‘çudive’, kur vijnë edhe deputetët e na gjykojnë, se ndoshta ata ndodhen aty edhe në ditën që vjen bari në spital, kjo është pjesë e tyre.

I njëjti bar që ju përmendët, unë e kam gjetur që edhe ka skaduar. Pra, në disa barna që na mungojnë, sidomos në pjesë të caktuara të vitit është provuar që nuk është çështje fondesh. Për çdo mall apo shërbim që na duhet për institucionet tona, na duhet të zbatojmë disa rregulla. Praktikisht, ai bar apo disa barna të tjera të domosdoshëm të sëmundjeve të rënda i gjejmë me vështirësi, edhe për faktin se nevoja për këto barna janë shumë të pakta nga pikëpamja e vlerës së tyre financiare dhe interesi i subjekteve të ndryshme është jashtëzakonisht i ulët.

Në rastin konkret, me zbatimin e procedurave, po përsëriten procedurat, dhe mesa di, tashmë, janë realizuar. Për atë bar jemi përpjekur të gjejmë edhe forma me fondacione të ndryshme, të cilat e kanë më të lehtë të na e sjellin në Shqipëri.

Në një prej emisioneve të mëngjesit në televizion disa veteranë lufte janë ankuar se nuk po u shërbehet më me receta të rimbursueshme nga mjeku i familjes. Nuk e di nëse jeni në djeni të këtij problemi të ngritur ndërkohë që ne kemi intervistuar kreun e Shoqatës së Veteranëve i cili i bën apel Ministrisë së Shëndetësisë se janë disa barna të nevojshme për veteranët po ata sorollaten nga mjeku i familjes në QSUT, ndërkohë që janë 90 vjeçarë dhe të pamundur për të ndjekur këto procedura?

 Ministri Beqaj: Së pari, për të lehtësuar marrëdhëniet e të sëmurëve kronikë, përfshirë moshat më të thyera ku hyjnë edhe veteranët, ne bëmë një hap të parë, që e kthyem recetën e rimbursimit nga 1-mujore në 2-mujore. Kjo edhe për të qetësuar ata, por edhe ngarkesën burokratike të mjekëve dhe infermierëve dhe farmacistëve, për tu lënë këtyre të fundit më shumë kohë të merren me profesionin e tyre. Sigurisht, që hallkat e sistemit të referimit janë hallka të domosdoshme.

Ne besojmë se përmirësimi i sistemit të referimit do të ndihmohet shumë edhe nga proceset më automatike dhe më transparente që kemi filluar të zbatojmë, dhe do të zbatojmë, edhe më shumë në të ardhmen. Për shembull, unë jam i bindur që veteranët e Durrësit, e kanë shumë më të lehtë procedurën, prej recetës elektronike. Projekti po mbaron në të gjithë Shqipërinë. Në tetor do të fillojë në Tiranë, dhe deri në mars, do të shtrihet në të gjithë vendin, dhe receta elektronike do ta lehtësojë këtë punë.

Shumë shpejt do të ndajmë me publikun përfundimin e një projekti tjetër shumë të rëndësishëm, që është prenotimi elektronik i vizitës. Pra, që nga mjeku i familjes, i cili thotë që për këtë bar, sipas rregullave, duhet edhe një miratim nga një mjek specialist në QSUT apo në Spital Rajonal, kërkesën për takim do ta bëjë drejtpërdrejtë mjeku i familjes. Dhe ky sistem, do të caktojë edhe datën edhe orën se kur ti duhet të paraqitesh për të marrë këtë gjë.

Dhe së treti, një projekt shumë i rëndësishëm, – që edhe ai përfundim në tetor, që të jetë i lidhur, – është nënshkrimi elektronik, që do të thotë se mjeku që lëshon një recetë do të ketë një si çelës USB në kompjuterin e tij, që realisht do të jetë firma dhe vula e tij. Dhe kështu, do të pakësojmë shumë kontaktin e çdo qytetari, aq më shumë të të moshuarve me mjekun për arsye burokratike. Sigurisht që, nëse mjeku duhet ta vizitojë, i sëmuri duhet të paraqitet.

Ndoshta, ka një problem tjetër që lidhet me një grup të sëmurësh që kërkojnë, ose marrin, një recetë ku mjekët, përveçse barnat me të njëjtën recetë, përshkruajnë edhe një suplement, i cili nuk është bar. Ne, në Shqipëri, deri më sot, rimbursojmë barna, dhe nganjëherë vihemi në presionin e drejtë të pacientëve që, ‘mua ma ka dhënë doktori!’ Sigurisht, që një person i moshuar nuk e ka të lehtë të ndajë një bar me një suplement. Me recetën elektronike, edhe mjekët, do të jenë shumë më të kornizuar që të përshkruajnë ato çka janë barna dhe çka janë rimbursime.

Kemi patur herë pas here akuza për cenim të sigurisë së ilaçeve me uljen e çmimeve?

 Ministri Beqaj: Sigurisht, akuzat kanë qenë, mund të vijojnë. Unë nuk di rast konkret të raportuar në sistemin tonë të Farmakovigjilencës nga mjekët, pra që një mjek të ketë thënë që “ky bar, gjenerik i këtij origjinatori, apo i njëjti bar por i këtij loti në prodhim nuk ka dhënë efekte tek pacienti im”. Sepse, ky është problemi kryesor që kemi ne me sigurinë e barit.

Ka patur një akuzë të bërë edhe shumë publike nga një person lidhur me efektin e barit tek një familjar i tij, besoj se ju kujtohet në janarin e vitit të kaluar. Bëhet fjalë për barin e një të sëmuri me tumor. Momenti kur personi ribëri analizat në Turqi, kishin kaluar ditët kur principi aktiv duhet të jetë në gjak, sipas vetë patentës së barit.

Ne kemi ende shumë punë për të bërë për të garantuar, në radhë të parë, sigurinë e të gjithë zinxhirit të tregtimit ose vendosjes së barnave në treg. Dhe, besoj, se projekti i madh i rëndësishëm për të cilin duhet të pranojnë se, edhe pse jemi angazhuar në Programin e Qeverisë, ende nuk e kemi filluar konkretisht ta zbatojmë, është sistemi “Track and Trace”, për gjurmimin e barit në të gjithë hallkat e tij. Kjo do të na ndihmojë të dimë më mirë nëse një bari po i afron skadenca, por pastaj, do ta kemi shumë më të lehtë, se do të dihet “X pacient” me çfarë bari është mjekuar, me çfarë Loti në ambalazh, dhe nëse të njëjtët të sëmurë me të njëjtin bar, por me dy furnitura të ndryshme, kanë efekte të ndryshme në trajtimin e tyre, është shumë më e lehtë të gjurmojmë dhe të shënjestrojmë aty kur atëherë nuk jep efektin e duhur.

Ministria e Financave po negocion me kompaninë që ka kontratën e Partneritetit Publik Privat të pullës së sigurisë së barit për të zgjeruar këtë proces.

 Pas daljes në LBR pas qershorit, ka pasur shumë ankesa nga qytetarët për procedurat e rimbursimit të Insulinës për diabetikët. A është në dijeni Ministria e Shëndetësisë për ankesat e shtuara të qytetarëve dhe a do të keni ndonjë ndërhyrje apo monitorim për ta rregulluar këtë gjë?

 Ministri Beqaj: Me daljen çdo vit të LBR-së, dalin edhe rregullat e caktuara të mënyrës se si ato përshkruhen, kufizohen hallkat e kalimit. Unë besoj se zbatimi i plotë i recetës elektronike dhe i nënshkrimit elektronik do ta lehtësojë shumë të gjithë procesin e rënduar dhe burokratik që kemi deri më sot.  

SHKARKO APP