Beqaj: Urgjenca Mjekësore, tashmë, një realitet ndryshe

Aparatura të reja, protokolle, por edhe rritje të aftësive profesionale për mjekët dhe infermierët parashikon projekti i ri i Urgjencës Mjekësore, i cili ka filluar të aplikohet tashmë në vendin tonë falë mbështetjes së financimeve të qeverisë Italiane.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në takimin e organizuar në kuadër të projektit: “Improvement of Emergency Medical Services in the Coastal Area (IEMSCA)”, – qëllimi i të cilit është të kontribuojë për rritjen e efikasitet dhe shkallës së gatishmërisë e kapaciteteve të përgjigjes kapacitetin e Shërbimit të Urgjencës së Spitaleve, si pjesë e reformës së përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Urgencës Mjekësore, që realizohet në bashkëpunim me Rajonin e Toskanës, Itali, në kuadrin e Programit IADSA, – në qendër të diskutimeve ishte rritja e efikasitet dhe shkallës së gatishmërisë e kapaciteteve të përgjigjes në Shërbimin e Urgjencës së Spitaleve, Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, ka pohuar se ky financim i shkon në të njëjtën linjë me programin e qeverisë sa i takon sistemit të urjgencës.

“Urgjenca Mjekësore është një nga prioritetet e Programit të Qeverisë në fushën e shëndetësisë, edhe pse jeni në tre vjet qeverisje, ndoshta nuk ka frytet e dukshme dhe të prekshme të mëdha, por kemi një ligj të ri, kemi një institucion të ri dhe besoj se muajin e ardhshëm do të kemi një godinë të re qendrore. Po kështu, po përgatitemi për të të hapur prokurimin publik për sistemin e kontrollit dhe të komandës, ndërkohë kemi bërë përpjekje për të fuqizuar flotën tokësore dhe ajrore me autoambulanca dhe helikopter mjekësor,” ka pohuar Beqaj.

Nga ana tjetër, kreu i shëndetësisë ka theksuar se një pjesë e mirë e spitaleve në vend do të përfitojnë nga ky financim, si në logjistikë, ashtu edhe në rritje profesionale të mjekëve, në mënyrë që pacientëve tu ofrohet një shërbim shëndetësor sa më i shpejtë dhe i saktë. “Urgjenca Mjekësore spitalore e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Vlorës dhe Sarandës janë pjesë të këtij projekti, ku do të kemi një mbështetje financiare për pajisje në këto urgjenca, për vendosje protokollesh, dhe padyshim, për rritjen e njohurive dhe aftësive profesionale të mjekëve dhe infermierëve që punojnë në këto urgjenca,” ka theksuar kreu i shëndetësisë.

Ndërsa sezoni turistik është në fillesat e veta, z. Beqaj nuk harroi të përmendë masat e marra për këtë vit sa i përket shërbimit shëndetësor pranë zonave turistike. Sipas tij, këtë vit do të kemi edhe tre qendra shëndetësore më shumë, të cilat i përkasin kryesisht zonave malore. “Në gjykimin tim, kemi përmirësuar prezencën me Urgjencë Mjekësore, sidomos gjatë sezonit turistik. Gjatë vitit 2014, patëm qendrat e para, por besoj se gjatë vitit të kaluar pati një shërbim shumë më të plotë, dhe ju që jeni këtu nga spitalet bregdetare vjet keni marrë shumë më tepër komunikime nga qendrat shëndetësore që hapëm gjatë verës, të cilat punuan 24 orë në 7 ditë të javës, duke filluar nga Velipoja e deri në Ksamil. Ndërkohë, që javën e kaluar, ne filluam me hapjen e qendrave për këtë vit. Vitin e kaluar kemi pasur 22 qendra shëndetësore në bregdet, kurse këtë vit kemi 25, sepse patëm kërkesa nga Ministria e Turizmit (Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes) edhe për Kalanë e Dodës, Kelmendin dhe Prespën, të cilat do të fillojnë në datën 1 korrik,” pohoi ministri Beqaj.

Gjatë takimit kreu i shëndetësisë shprehu falënderimet e tij për Qeverinë Italiane për mbështetjen e saj financiare në sektorin e shëndetësisë si dhe Rajonin e Toskanës për asistencën që po jep për ngritjen dhe modernizimin e shërbimit të Urgjencës Mjekësore.

—###—

 Fjala e plotë e Ministrit Beqaj:

Ne vijojmë me aktivitete të rëndësishme duke zgjeruar dhe fuqizuar bashkëpunimin me Italinë fqinje dhe mike. Bashkëpunim i cili, sidomos në fushën e shëndetësisë, është shumë i ndjeshëm, shumë i prekshëm dhe konkret në nivele institucional, por padyshim, edhe në nivel kapilar. Ndaj, edhe unë, sa herë që më jepet mundësia nuk ngurroj, në prezencë të përfaqësuesve të ndryshëm që vijnë nga Italia të shpreh falënderimet që përditë, sistemi shëndetësor italian vazhdon tu japë qytetarëve shqiptarë, të cilët marrin ndihmë dhe kujdes shëndetësor, edhe duke përfituar nga bujaria e autoriteteve shëndetësore në Itali, dhe sidomos, dua të nënvizoj këtu edhe në prezencë të përfaqësuesve të Rajonit të Toskanës, ndihmën dhe mbështetjen që ky rajon ka dhënë dhe vazhdon të japë për të sëmurët shqiptarë.

Aktualisht, ne kemi në zbatim disa financime të ndryshme që vijnë nga Italia. Ne kemi një financim për fuqizimin e Shërbimit tonë Parësor në Tiranë, në Korçë, në Dibër dhe në Gjirokastër. Janë 5 milionë Euro që nëpërmjet Kooperacionit Italian (Programi Italian i Ndihmës për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim) po zbatohen në Shqipëri. Praktikisht, kemi shpluhurosur një financim, i cili prej 10 vitesh, flinte në sirtarët e institucioneve shqiptare për Qendrën Kombëtare të Traumës, ku janë 5 milionë euro, dhe aty duke mundësuar lidhjen e kontratave të zbatimit, dhe unë besoj që me këtë mbështetje, vitin e ardhshëm ne do të kemi një Qendër Kombëtare të Traumës, realisht goxha të mirë dhe të krahasueshme me qendra të tjera në Evropë.

Por, gjithashtu, unë besoj se të frytshme kanë qenë edhe disa programe që kemi zbatuar si pjesë e programit kuadër të Konvertimit të Borxhit të Qeverisë Italiane (Programi IADSA). Borxhi i hershëm që Shqipëria i kishte Italisë, me gatishmërinë dhe dashamirësinë e Qeverisë Italiane është konvertuar në programe zhvillimi, dhe unë besoj se shëndetësia, deri më tani, ka qenë një nga sektorët që ka përfituar jo pak nga këto. Këtu, dua të nënvizoj programe që për ne janë të rëndësishme: dy të parat janë në një fazë më të avancuar, ndërkohë, që programi i sotshëm është në një fazë më fillestare.

Është shumë i rëndësishëm programi i parë për vendosjen e atyre që quhen DRG (Diagnosis Related Groups – Grupimi i Diagnozave sipas Sëmundjeve), pra, përgatitjen reale të sistemit tonë shëndetësor për të kostuar, dhe për rrjedhojë, për të shkuar pastaj në funksionimin real të paguesit të vetëm, të funksionimit të autonomisë spitalore.

Programi i dytë ka qenë programi  “Jo Kancer”, ku besoj se publiku është njohur edhe para pak ditësh me ndihmën që ky projekt na dha për të përmirësuar në mënyrë rrënjësore shërbimin në Spitalin Ditor të Onkologjikut,  por kemi edhe këtë projekt të rëndësishëm që lidhet me urgjencën mjekësore.

Në fakt, Urgjenca Mjekësore është një nga prioritetet e Programit të Qeverisë në fushën e shëndetësisë, edhe pse jeni në tre vjet qeverisje, ndoshta nuk i ka frytet e dukshme, të prekshme dhe të mëdha, por kemi një ligj të ri, kemi një institucion të ri, dhe besoj, se muajin e ardhshëm do të kemi një godinë të re qendrore. Po kështu, po përgatitemi për të të hapur prokurimin publik për sistemin e kontrollit dhe të komandës, ndërkohë kemi bërë përpjekje për të fuqizuar flotën tokësore dhe ajrore me autoambulanca dhe helikopter mjekësor.

Në gjykimin tim, kemi përmirësuar prezencën me urgjencë mjekësore sidomos gjatë sezonit turistik. Gjatë vitit 2014, patëm qendrat e para, por besoj se gjatë vitit të kaluar pati një shërbim shumë më të plotë, dhe ju që jeni këtu nga spitalet bregdetare vjet, keni marrë shumë më tepër komunikime nga qendrat shëndetësore që hapëm gjatë verës të cilat punuan 24 në 7 ditë të javës, duke filluar nga Velipoja e deri në Ksamil. Ndërkohë, që javën e kaluar ne filluam me hapjen e qendrave për këtë vit. Vitin e kaluar kemi pasur 22 qendra shëndetësore në bregdet, kurse këtë vit kemi 25 sepse patëm kërkesa nga Ministria e Turizmit (Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes) edhe për Kalanë e Dodës, Kelmendin dhe Prespën të cilat do të fillojnë në datën 1 korrik.

Porm përtej asaj që duam të përmirësojmë në përgjigje në territor me urgjencën, i domosdoshëm është edhe fuqizimi i kapaciteteve tona në urgjencën pritëse në spitale, dhe për këtë, është edhe projekti që kemi filluar të zbatojmë me financimin në kuadrin e Programit italian IADSA dhe me mbështetjen teknike të Rajonit të Toskanës.

Pra, urgjenca mjekësore spitalore e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Vlorës dhe Sarandës janë pjesë të këtij projekti, ku do të kemi një mbështetje financiare për pajisje në këto urgjenca, për vendosje protokollesh dhe padyshim për rritjen e njohurive dhe aftësive profesionale të mjekëve dhe infermierëve që punojnë në këto urgjenca.

Megjithatë, ky është cikli i parë, dhe me sa jam informuar nga organizatorët dhe ata që zbatojnë projektin, janë katër sesione.

Nuk dua të zgjatem më shumë sepse dua t’ju lë mundësinë të shfrytëzoni maksimalisht prezencën e ekspertëve italianë në këtë fushë dhe dua të shfrytëzoj edhe një herë mundësinë që nëpërmjet përfaqësuesve të saj për financimet në vite, dhe nëpërmjet doktoreshës Kaldez (zj. Maria José Caldés Pinilla, përfaqësuese e sektorit të shëndetësisë për Rajonin e Toskanës) për mbështetjen e dhënë nga Rajoni i Toskanës në 360 gradë që i ka dhënë dhe vazhdon ti japë sistemit shëndetësor shqiptar dhe sidomos qytetarëve shqiptarë qoftë në Shqipëri, qoftë në Itali.

Punë të mbarë dhe suksese, faleminderit!

SHKARKO APP