Berat, AKU i vë gjobë subjektit ushqimor, administratori ushtron dhunë ndaj inspektuesve

Administratori i një subjekti ushqimor në Berat është denoncuar në polici për ushtrim dhune ndaj trupës inspektuese të AKU-së gjatë ushtrimit të detyrës së saj në këtë subjekt.

Kështu në sajë të informacioneve të ardhur nga konsumatorët për tregtimin e produkteve të paetiketuara në gjuhën shqipe, trupa inspektuese e Drejtorisë Rajonale të AKU Berat, kreu inspektimin në subjektin S. S.

“Aty janë konstatuar tregtimi i produkteve të pasigurta pasi subjekti nuk dispononte sistemin e gjurmueshmërisë si dhe u evidentuan 2184 shishe x 125 ml suko pjeshke dhe 2112 shishe x 200ml suko pjeshke në ambalazh TETRAPAC, të papajisura me etiketim në gjuhën shqipe. Përballur në këto kushte përfaqësuesi i subjektit ka përkeqësuar situatën duke ushtruar dhunë ndaj inspektorëve” njofton AKU Berat.

Trupa inspektuese kërkoi mbështetjen e forcave të Policisë së Shtetit, e cila shoqëroi në polici përfaqësuesin e subjektit duke mundësuar kryerjen e inspektimit normal nga inspektorët.

Për shkeljet e konstatuara në subjekt trupa inspektuese mori masat administrative përkatësisht:

1) Masë administrative gjobë; me vlerë 100,000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin,

2) Masë administrative  gjobë; me vlerë 100 000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,

3) Masë administrative gjobë ; me vlerë 100.000 mijë lekë për pengimin e procesit të inspektimit.

Gjithashtu nga ana e trupës inspektuese është bërë dhe kallëzimi pranë instancave përkatëse për dhunën e ushtruar ndaj tyre nga ana e subjektit.

SHKARKO APP