Berat, Bashkia dhe TAP ndihma për familjet në nevojë
Nisur nga situata e përkeqësuar e motit në territorin e qytetit të Beratit gjatë javëve të fundit, situatë e cila ka vënë në vështirësi shumë familje të cilat janë në kushte të vështira ekonomike, shoqëria Trans Adriatic Pipeline (TAP) dhe Bashkia Berat organizuan në datën 23 janar 2017 shpërndarjen e ndihmave për 115 familje në nevoje të goditura nga acari dhe kushtet e vështira të motit.
Shpërndarja e ndihmave u krye nëpërmjet Kryqit të Kuq Shqiptar Dega Berat në qytetin e Beratit dhe në lagjet e njësitë administrative të Bashkisë së re, të cilat përbëjnë edhe territoret ku kalon projekti TAP: Dyshnik, Lapardha, Lapardha e Sipërme, Veterik, Moravë, Orizaj, Ullinjas dhe Uznovë. Ndihmat konsistonin në pako me ushqime bazë për një muaj dhe 5 batanije, të cilat iu shpërndanë familjeve e grupeve në vështirësi.
Lista e familjeve në nevojë u identifikua nga Drejtoria e Shërbimeve Sociale pranë Bashkisë Berat, në bazë të nevojave dhe urgjencës që këto familje kishin për ndihmë. Familjarët shprehën falënderimet e tyre për ndihmat e ofruara, të cilat do të zbusin sadopak situatën e rënduar në familjet e tyre.

