Berat. Makina e drejtorit të Doganës përplas “Opelin”, aksidentohen 3 familjarë
Tre pjesëtarë të një familje janë aksidentuar rëndë mesditën e sotme në Berat si pasojë e një aksidenti ku është përfshirë dhe drejtori i Doganës, ndërkohë që policia ende nuk bën të ditur asgjë në lidhje me shoqërimin e këtij të fundit.
Aksidenti ndodhi në aksion nacional Berat- Lushnjë, në dalje të Urës Vajgurore, ku një mjet tip Benz me targa AA 843PE, që drejtohej nga Drejtori i Doganës në Berat, Mirjan Prifti, është përplasur me mjetin tip Opel, që drejtohej nga 19 vjeçarja me inicialet A.T.
Kjo e fundit mësohet se udhëtonte në drejtim të qytetit të Durrësit, ku jetonin prej disa kohësh së bashku me vjehrrën e saj, shtetasen me inicialet E. B, 64 vjeçe dhe vjehrrin e saj, shtetasin me inicialet S.B, 69 vjeç, në momentin që është përplasur me mjetin tip Benz që udhëtonte në drejtim të qytetit të Beratit dhe drejtohej nga 36 vjeçari, banues në Fier.
Përplasja e dy mjeteve që udhëtonin në krah të kundërt me njëra tjetrën ka qenë e fuqishme dhe mjeti tip Opel, ku udhëtonin familjarët ka dal krejtësisht nga rruga duke u përplasur me bordurën mbrojtëse.
Si pasojë e këtij aksidenti mësohet se janë plagosur të tre personat që udhëtonin në mjetin tip Opel dhe menjëherë janë dërguar në spitalin rajonal të qytetit të Beratit. Burime nga Reparti i Kirurgjisë bëjnë me dije se të tre të plagosurit kanë marrë ndihmën e parë shëndetësore, ndërkohë që 64 vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë për jetën dhe është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar.
Menjëherë pas marrjes së informacionet ekspertët e Qarkullimit Rrugor mbërritën në vendin e ngjarjes, ku konfirmuan se drejtuesi i mjetit tip Benz është drejtori i Doganës dhe se po punohet për të zbardhur motivet e këtij aksidenti.
Nga ana tjetër Drejtoria e Policisë së Qarkut të Beratit ende nuk ka konfirmuar asgjë në lidhje me ndonjë shoqërim të mundshëm të Mirjan Priftit, i cili sipas policisë ka marrë vetëm lëndime të lehta.

