Berati në “heshtje” pas orës 10:00
Sot hyri në fuqi vendimi për këmbësorët. Zhurma e qytetit të Beratit u mbyll papritur pas orës 10:00, sipas urdhrit të ri të dhënë nga kryeministri Edi Rama. Për herë të parë në këtë shtetrrethim, beratasit i janë bindur urdhrit dhe janë izoluar në banesa, pasi askush nuk qarkullonte më në qytet pas orës 10:00. Në rrugë janë të pakta makinat në qarkullim dhe janë kryesisht ambulancat, policia dhe makinat që furnizojnë marketet dhe dyqanet ushqimore. Forca të shumta policie sheh në çdo rrugë e lagje të qytetit, ku janë shpërndarë për të parë respektimin ose jo të izolimit të qytetarëve brenda banesave.
Të hapura janë pjesa më e madhe e zyrave të administratës shtetërore si dhe bankat e nivelit të dytë e sportelet e pagesave të ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike, me orare të reduktuara. Në qytet vijojnë ende postoblloqet e policisë,të ngritura në disa kryqëzime në të pesta bashkitë e qarkut të Beratit, ku kontrollohet çdo automjet që qarkullon në rrugë,nëse ka leje për lëvizjen apo jo.
Qytetarët shprehen se urdhri i dhënë nga kryeministri Edi Rama për qëndrimin e tyre në banesa nga ora 10:00-16:00 dhe më pas pas orës 18:00 është mëse i domosdoshëm në këtë situatë të rënduar virale që po kalon vendi ynë. Ata shprehen njëkohësisht të painformuar në lidhje me virusin Covid-19, simptomat e tij,mënyrat e përhapjes apo mbrojtja e nevojshme.