Berati në “shtet rrethim”. Policia gjobit “të fortët” që thyen urdhërin për të mos qarkulluar, bllokohen 64 mjete
Në qytetin e Beratit,që prej orës 06:00 të mëngjesi të sotëm është ndaluar qarkullimi i të gjitha mjeteve private në qytet si dhe hyrjet e daljet nga Berati të mjeteve të paautorizuara.
Gazetarja Eneida Petova raporton për “Balkanweb” se sipas këtij urdhri që vendosi për herë të parë sot në Berat “shtetrrethim” në qytet lëvizën vetëm ambulancat, policia dhe mjetet e akredituara dhe të autorizuara nga policia e shtetit.
Por,siç duket ky urdhër nuk u erdhi mirë “të fortëve” të qytetit,që duke qarkulluar me automjete në rrugë u penalizuar nga policia. Efektivë të shumtë të DPV Berat dhe Policia Bashkiake kanë ngritur sot posto-blloqe të shumta në çdo rrugë të qytetit si dhe në hyrjet e daljet e tij,duke gjobitur këdo që nuk ju bind urdhrit dhe duke bllokuar dhjetëra mjete.
Nga ana e DPV Berat janë marrë sanksione të ashpra ndaj të gjithë atyre që nuk respektuan njoftimin e dhënë për ndalimin e qarkullimit të automjeteve private në qytet,me përjashtim të mjeteve të autorizuara nga Policia si : autoambulancat,mjetet që kryejnë funksione shtetërore etj. 64 gjoba “majme” janë vendosur sot nga shërbimet policore në Berat,ndërkohë që janë bllokuar edhe dhjetëra automjete.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat,bën me dije se,në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19,policia do të ashpërsojë penalitetet në rrugët e qytetit për të gjithë ata drejtues mjetesh që nuk respektojnë ligjin.