Berisha: “Çdo protestues sot do të ketë dy armë* (të vertetën dhe bashkimin)…”

Ish-kryeministri Berisha ka lëshuar thirrjen e madhe që sot me 20 shkurt të vijnë opozitarët në Bulevardin kryesor të Tiranës për të rrëzuar Edi Ramën.

Ai ka bërë thirrje se “çdo protestues sot do të ketë dy armë me vete….”

Ja se çfarë thotë Berisha, i cili shpreson se sot e rrëzon kryeministrin Rama, i cili ndodhet në Turqi në një vizitë zyrtare te presidenti turk Erdogan.

“20 shkurti do të jetë në historinë e demokracisë, një ditë e shenjtë sepse protesta e 20 shkurtit do të jetë ndryshe nga çdo protestë që Shqipëria ka pasur nga 20 shkurti i vitit 1991 gjer sot.

Kjo sepse secili prej jush, çdo protestues, do të ketë me vete dy armë që nuk i ka patur më parë. Çdo demokrat, çdo opozitar, çdo shqiptar që do shkelë në Tiranë më 20 shkurt, do marshojë bashkë me këto dy forca madhore krah tij.

Protestuesit më 20 shkurt do kenë në njërin krah të vërtetën, kurse në krahun tjetër bashkimin.

Propagandë e pafundme, mashtrime mediatike të llahtarshme, dezinformime të liga, të gjitha me qëllim që të mbulohej e vërteta se kombi shqiptar është një komb i agresuar, është një kombi i sulmuar.

Dy vite më parë, pasi ne si opozitë u ngritëm, ne folëm të vërtetën. Me të madhe theksuam se Shqipëria është në rrezik.

Shqipëria në rrezik ishte slogani ynë, por për hir të vërtetës jo të gjithë na besuan.

Vjedhjet e Edi Ramës ishin aq monstruoze sa ngjanin me trillime.

Shkatërrimet e Edi Ramës ishin aq katastrofike, sa Shqipëria ngjante një vend i mallkuar dhe jo i keqqeverisur.

Por tani, dy vite më vonë, e vërteta ka dalë në dritë.

Çdo akuzë e opozitës, çdo denoncim i juaji në këto dy vite është faktuar. E vërteta ka dalë në dritën e diellit.

Prandaj çdo demokrat, më datën 20 shkurt në njërin krah ka këtë të vërtetë që ecën bashkë me të. Kjo e vërtetë do bëjë çdo protestues të pandalshëm, do bëjë çdo protestues fitimtar.

Sepse Edi Rama, ky hajdut i pangopur është rrezik për xhepat e shqiptarëve. Këtë e ka denoncuar opozita, por e ka provuar edhe Eurostat, i cili gjen se shqiptarët, të cilët 10 vite më parë kishin rrogat më të larta në rajon, tani kanë rrogat më të ulëta. Sot shqiptarët kanë rroga afrikane, kurse çmimet i kanë të kripura evropiane.

Prandaj dhe sot në emër tuaj u bëj thirrje solemne çdo shqiptari që nuk e shtyn dot muajin, që ankthi e kaplon kur hyn në merkato nga çmimet e shportës, që i qan zemra që nuk siguron dot një ditëlindje dinjitoze për fëmijën e tij, që nuk mbulon dot në shpenzim të papritur, ka shansin më 20 shkurt të eci në krahë të vërtetës dhe të gjunjëzojë shkaktarin e fatkeqësisë së tij.

O sot, o kurrë, me 20 shkurt të gjithë në shesh”- thotë Berisha.

Ndërkohë policia ka marrë masa ekstreme për sigurinë në Bulevard dhe në kryeministri.

Do të jenë mbi 2000 forca policore si dhe trupat speciale për të ndërhyrë në qoftëse sulmohet kryeministria, sikurse ka një plan nga selia blu. Drejtuesit e protestës kanë deklaruar se populli është i lirë sot të shprehë revoltën si të dojë.

Po kështu dhjetra mjete zjarrfikëse dhe gazlotësjellëse do jenë pas kryeministrisë.

Rrugët kryesore në Tiranë dhe rrugët dytësore afër protestës do të mbyllen nga policia që në orën 14.00.

SHKARKO APP