Berisha: Do të kthejmë kombin në moshën e rinisë, grant 30 mijë euro për të blerë një shtëpi
Sali Berisha tha sot gjatë një takimi në njësinë Nr. 4 në Tiranë, se PD përmes programit të saj do të bëjë gjithçka që 600 mijë të rinj që kanë ikur 10 vitet e fundit nga vendi, të kthehen pesë vite pa asnjë taksë.
”Do bëjmë gjithçka të kthejmë kombin në moshën e rinisë. Vetëm një komb që ruan dhe jeton në moshën e rinisë së tij, është komb me të ardhme. Për fat të keq këto 12 vite shqiptarët humbën me shpejtësi të rrufeshme moshën e tyre të rinisë. Unë kam besim të madh tek Zoti, kam besim të madh tek qytetarët shqiptarë që ne do të rikthejmë përsëri dhe do ta vendosim këtë komb në moshën e rinisë së tij”, tha Berisha.
Për të përmes programit të PD nuk do të ketë rrogë minimale nën 1500 euro për mësuesin, njëherësh edhe mjekët dhe infermierët do të kenë dyfishim të rrogave. Berisha u ndal edhe te biznesi dhe prodhimet ”Made in Albania”, të cilat i cilësoi një krenari kombëtare. Kreu i PD-së premtoi edhe faktin që çdo çift i ri do të ketë një grant 30 mijë euro për të blerë një shtëpi dhe për të paguar interesat e kredisë.
”Ne do bëjmë gjithçka që në këtë vend të prodhohet, të prodhohet, të prodhohet. Në mënyrë që shqiptarët të punësohen dhe të paguhen. Ndaj dhe përgjysmojmë taksat për bizneset. Pjesëtojmë me 5 herë taksën mbi ndërtimet që kanë rritur çmimin e qirasë, baras me Parisin dhe Mynihun. Energjia do zbresë nga 18 në 6 lekë. Frymëmarrje më e madhe, liri ekonomike më e madhe, iniciativë e lirë më e suksesshme. Ne qëndrojmë të vendosur për të ndryshuar me shpejtësi situatën e biznesit në Shqipëri”, cilësoi Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

