Berisha e quan një akt puçist: Policia s’ka hyrë kurrë në Parlament

Sali Berisha e cilëson si “akt puçist” ndërhyrjen e Policisë së Shtetit një ditë më parë në parlament, ku u përplas me deputetët e opozitës. Për të veprimet e djeshme ishin tipike të një diktature dhe se kurrë nuk ka ndodhur që policia të futet në parlament.

”Dëgjova opinionistë të krahut qeveritar se këto kanë ndodhur, nuk kanë ndodhur kurrë, u them unë atyre, që policia të hyjë në parlament. Nuk ka ndodhur kurrë. Por mos shfrytëzoni mikrofonat për të mashtruar publikun. Pra, ka një ligj dhe një Kushtetutë, por ky regjim nuk ka as ligj dhe as Kushtetutë”,-tha Berisha në një deklaratë me gazetarët nga banesa ku qëndron në izolim që prej 30 dhjetorit.

“Unë e përgëzoj deputetin Luan Baçi për përgjigjen që i dha dhe ftoj çdo qytetar t’u japë këtyre banditëve përgjigjen që meritojnë. Pra, ishte, po ta marrësh, po këta nuk kanë as ligj dhe as Kushtetutë, se ato ishin akte puçiste. Nuk mund të fusësh në territorin e parlamentit, pa vendim të parlamentit, forca të tjera përveç Gardës së Republikës”,-u shpreh Berisha.

Berisha theksoi në fjalën e tij se mosbindja civile do t’u japë përgjigjen më të merituar këtyre akteve kriminale antikushtetuese ndaj opozitës. ”Kërkesën për Komisionin e të Vërtetës do e paraqesim në Bruksel, në Strasburg, në Kongresin e SHBA dhe Senatin e këtij vendi pas zgjedhjeve, në të gjitha parlamentet e Evropës. Ne do bëjmë detyrën tonë, sepse krimi i organizuar shqiptar nuk është vetëm një problem shqiptar’‘, u shpreh Berisha.

SHKARKO APP