Berisha-emigrantëve: Kthehuni, me PD në qeveri kush hap një biznes do të jetë 5 vite pa taksa
Sali Berisha gjatë fjalimit nga dritarja e banesës, ka folur mbi programin ekonomik të Partisë Demokratike. Ai është fokusuar tek shqiptarët e larguar, ku ka premtuar se nëse rikthehen, me PD në qeveri do ti mbështesë në hapjen e bizneseve dhe investimit në vendin tonë.
”Unë ju jap fjalën ju se kthimi juaj në Shqipëri do shoqërohet me një periudhë 5-vjeçare pa taksa në qoftë se do hapni biznese. Do shoqërohet me vendosjen tuaj në vendet që meritoni, në vendet ku mund të kontribuoni më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Do bëjmë gjithçka që Shqipërinë ta ngjisim, do ta bëjmë sërish vendin e parë për rroga dhe pensione në Ballkan. Së bashku me ju, do rikthejmë përsëri Shqipërinë në rrugën e Europës. Do krijohen të gjitha kushtet, me kredi dhe mjete të tjera për strehimin, për punësimin, për biznesin, për aktivitetin në fushën ku ju jeni më afër, më të specializuar.
Gjatë vitit 2008-2013, 180 mijë familje emigrantësh erdhën në Shqipëri. Por prapë Shqipëria nuk kishte rrogat e atyre vendeve prej nga erdhën ata, por Shqipëria ktheu besimin se ky vend do bëhet nga shqiptarët. Shqipëria nuk do jetë çiflig i mafies së Edi Ramës. Shqipëria nuk do jetë çiflig i hajdutëve të tij. Jo, Shqipëria do jetë vend i garës së ndershme, konkurrimit të ndershëm, barrës së ulët fiskale. Shqipëria do jetë vend i ligjit. Ligji dhe vetëm ligji, kodi i mafies nuk do ketë më kurrë vend në Shqipëri”,- tha Berisha.