Berisha i pandehur, Ilir Meta: Vendim politik i paracaktuar
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e quan vendim të paracaktuar nga kryeministri Edi Rama, marrjen të pandehur të ish-kryeministrit Sali Berisha për dosjen ”Partizani”. Gjatë një konference me gazetarët, ai tha se SPAK-u nën drejtimin e Altin Dumanit është kthyer në vrasës me parapagesë, njëjtë si Nuredin Dumani.
”Vendimi i djeshëm i organizatës kriminale mercenare, SPAK nën drejtimin e Altin Dumanit, për të marrë të pandehur pa prova, pa dëshmi, pa fakte dhe pa dokumente, liderin historik të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha nuk është gjë tjetër veçse një akuzë e mirëfilltë politike e diktuar dhe e paracaktuar nga Edi Rama, në funksion të axhendës së tij elektorale, me qëllim asgjësimin me çdo mjet të opozitës, të demokracisë dhe të pluralizmit politik.
Shërbimi i verbër që SPAK-u po i bën Narkoshtetit duke goditur drejtuesit e opozitës dhe mbrojtur hapur korrupsionin skizofrenik dhe lidhjet e tmerrshme kriminale të Edi Ramës është një poshtërim flagrant i sistemit të drejtësisë dhe integritetit të tij, si edhe një tradhti kombëtare ndaj Shqipërisë që ka nevojë ulëritëse për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta.
Është ky SPAK që as nuk guxon t’i përmendë emrin Ramës, jo vetëm për çështjen e Sali Berishës por edhe për shumë çështje të tjera ku firmat e tij janë hedhur mbi afera kriminale. Sali Berisha është nën arrest me pretendimin se ka nisur procesin e privatizimit të “Klubit Partizani” dhe ka ndryshuar destinacionin ndërkohë dokumentet zyrtare provojnë se privatizimi është nisur nga Qeveria socialiste kurse ndryshimi i destinacionit nga terren sportiv në truall ndërtimi është bërë nga Edi Rama, që nuk përmendet fare në dosjen e stisur”.