Berisha i pandehur nga e mërkura? Gazetarja Lala zbulon ç’pritet të ndodhë me kreun e PD-së

Sali Berisha është thirrur për tu paraqitur në SPAK këtë të mërkurë. Gazetarja Klodiana Lala, thotë se burime jo zyrtare i kanë konfirmuar se Berisha pritet të akuzohet për korrupsion, çka do ta kthente statusin e tij nga një person nën hetim në një të pandehur.

“Kam qenë e mendimit që hetimet për Berishën duhet të kishin përfunduar me kohë sepse ka katër vite që zgjat. Prokurorët tani ishin të detyruar sepse ligji thotë që kur ka masë sigurie, nuk duhet të kalojë afati një vjecar që përmbushet në tetor. Prokurorët kanë përfunduar hetimet. Info paraprake thonë se Berishës do ti komunikohet e njëjta akuzë, vepra penale e korrupsionit, por mbetet për tu parë. Është nga burime jo zyrtare.

Zyrtarisht i kanë dërguar vetëm fletëthirrje ku e ftojnë të paraqitet në SPAK. Deri tani ishte person nën hetim. Nëse do ti komunikohet akuza, Berisha do të jetë automatikisht i pandehur, pozita e tij përballë ligjit merr tjetër dimension. Pala tjetër do ta ketë kryefjalë që është një i pandehur”, tha Lala në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike do të organizojë një protestë këtë të mërkurë përpara ambienteve të SPAK, ditë që përkon me paraqitjen e Sali Berishës, i thirrur nga SPAK. Është një mesazh i shkruar nga Flamur Noka, që sot i është nisur demokratëve. Kreu i Partisë Demokratike prej 9 muajsh ndodhet në ”arrest shtëpie”. Berisha po hetohet nga SPAK-u pasi ka dyshime se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi gjatë kohës kur drejtonte qeverinë. Malltezi është një ndër pronarët e truallit ku shtrihej ish-kompleksi sportiv “Partizani”, hapësirë ku aktualisht janë ndërtuar disa komplekse banimi.

SHKARKO APP