Berisha i përgjigjet Ramës: Mashtron për pagat e pensionet, pensionistët blejnë vetëm 2 kg domate në muaj
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi sot një videomesazh ku sulmoi kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për manipulim të shifrave lidhur me pagat, pensionet dhe gjendjen ekonomike të vendit. Sipas tij, deklaratat e Ramës për rritje të ndjeshme të të ardhurave nuk përputhen me realitetin që përjetojnë qytetarët.
Berisha u ndal veçanërisht te pensionet, duke e cilësuar bonusin e dhënë për pensionistët si të papërfillshëm. Ai tha se ndihma ekonomike për rreth 690 mijë pensionistë është simbolike dhe nuk mjafton për të përballuar rritjen e çmimeve. Në të njëjtën linjë, ai deklaroi se pagat në Shqipëri mbeten më të ulëtat në rajon, ndërsa kujtoi se në vitin 2013, sipas tij, vendi kishte nivelin më të lartë të pagave në Ballkan.
Lideri demokrat komentoi edhe organizimin e aktivitetit të diasporës, duke përshëndetur shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, por duke akuzuar qeverinë se ka nxitur largimin masiv të qytetarëve. Ai iu referua të dhënave të EUROSTAT, sipas të cilave mbi një milion shqiptarë janë larguar gjatë viteve të fundit drejt vendeve të zonës Shengen. Sipas Berishës, kjo ka sjellë pasoja të rënda demografike dhe ulje të lindshmërisë.
Në vijim, ai foli edhe për procesin e integrimit europian, duke pretenduar se disa zhvillime janë bllokuar për shkak të çështjeve që lidhen me korrupsionin dhe ndërhyrjet politike. Sipas tij, qeveria po përpiqet ta paraqesë situatën më pozitive nga sa është realisht.
Berisha vuri në dyshim edhe shifrat për investimet e huaja direkte. Ai deklaroi se një pjesë e mirë e shumave të raportuara nuk janë investime të reja, por riinvestime të kompanive që operojnë në Shqipëri, ndërsa një pjesë tjetër lidhet me blerjen e apartamenteve. Sipas tij, investimet reale që krijojnë vende pune dhe rrisin prodhimin janë shumë më të ulëta.
Në fund, ai tha se ekonomia shqiptare po përballet me rënie të prodhimit industrial, tkurrje të bujqësisë dhe ulje të eksporteve, ndërsa rritja ekonomike, sipas tij, mbështetet kryesisht te taksat e larta dhe zgjerimi i administratës shtetërore
KOHA JONË SONDAZH

