Berisha kërkon votën për Këlliçin: Mos besoni kryetarin fals. Votoni të riun e suksesshëm
Sali Berisha kërkoi votën e qytetarëve të Tiranës për Belind Këlliçin në mbylljen e fushatës elektorale që u mbajt në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, duke e cilësuar atë si kandidatin e së ardhmes që do të ndryshojë jetesën e banorëve të kryeqytetit.
“Belind Këlliçi është prototipi më i mirë i të riut të suksesshëm. Ne ndjehemi krenar se ai garon si më i shkolluari, më me energji dhe me projektet më të mira në historinë e këtij qyteti.
Nuk ishte e lehtë të premtonte transportin falas, por nuk mund të mos e premtonte kur mendonte rëndimin që ky transport u shkaktonte qytetarëve të Tiranës, u shkaktonte veçanërisht banorëve të fshatrave të Tiranës. Ai u zotua për çlirimin tuaj nga taksat, nga tatimet.
Belind Këlliçi paraqiti, premtoi një Tiranë tjetër për qytetarin, për kushtet e jetesës së tij. Por dy gjëra, ftoj qytetarët e Tiranës të mos harrojnë. Nuk ka krim më të shëmtuar se sa ne sot të jetojmë në një nga dhjetë qytetet më të ndotura të planetit. Ja ku është Belind Këlliçi, njëri prej jush, njëri mes jush. U paraqit para jush me vërtetësinë, me sinqeritetin dhe besimin te ju”, u shpreh Berisha.