Berisha komenton Mini-shengenin: E bën Kosovën satelit të Serbisë

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se projekti i nisur nga Edi Rama dhe Aleksander Vucic ka për qëllim të izolojë edhe më shumë Kosovën, ta defaktorizojë ekonomikisht dhe ta dobësojë në marrëveshjen finale me Serbinë.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Sali Berisha thotë se ide të tilla të faktorizimit të Serbisë karshi Kosovës datojnë nga pushteti i Enver Hoxhës, i cili kishte nisur bashkëpunimin me diktatorin jugosllav Josip Tito.

“Udhëheqja e Kosovës përcakton vet qëndrimin e saj por në bindjen time dhe informacionin që una kam Minishengeni ballkanik është një nismë serbomadhe kryekëput kundër Kosovës dhe synon rrethimin e saj nga Serbia por tashmë njëlloj si në vitin 1946 edhe nga Shqipëria”,shprehet ish-kryeministri Sali Berisha.

Sipas tij, e gjithë kjo nismë synon ta bëjë Kosovën satelit të Serbisë.

“Kjo nismë që mori jetë me paktin Vucic-Rama në Nish i njëjti në thelb me paktin Tito-Enver të bashkimit doganor dhe defakto shndërrimit të Shqipërisë në republikë të shtatë të Jugosllavisë synon përsëri nëpërmjet Shqipërisë të defaktorizojë dhe shndërrojë Kosovën de fakto në një hapësirë ekonomike të Serbisë një satelite të saj”, vijon Berisha.

Ish-kryeministrin e lidh minishengenin me dështimin e idesë për ndryshimin e kufijve të Kosovës në favor të Serbisë që e kishin nisur Rama e Vuçiç.

“Pas dështimit të Vucic me trojkën fazeze të albanofobëve Zografi Bis, Miladini shqipfolës dhe Baton Stanishiq për të ndarë Kosovën midis Serbisë dhe Shqipërisë në emër të Serbisë së Madhe, serbomadhi Vucic nxori nga sirtarët projektin e Jugosllavisë së Re de fakto të Serbisë së Madhe. Fillimisht së paku në rrafshin ekonomik por e sigurt dhe në atë politike. Ky është një projekt i rrethimit të Kosovës me një kuadër ligjor rajonal nënshtrues dhe paralizimit të potencialeve të saja gjatë dialogut për marrëveshjen me Serbinë”, deklaron ish kryeministri.

Sali Berisha ka qenë një ndër politikanët më aktivë për të kundërshtuar si idenë e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi ashtu edhe ndaj nismës më të fundit Rama-Vuçiç për “Mini-Schengenin Ballkanik”.

 

SHKARKO APP