Berisha: Komisioni hetimor si lojë e klaneve në PS për të ngrënë kokën e njeri tjetrit
Nga Lindita Kokoli-
Në raport me Komisionin hetimor parlamentar, kryesuar nga PD, ka akuza dhe vërejtje nga shumë analistë si një skemë e pastër e luftës së klanëve në PS, të cilët luftojnë njeri tjetrin për pushtet në PS dhe në qeverisjen e vendit.
Në fakt futja nën hetim parlamentar e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe sulmi ndaj tij se nuk ka patur vendim të këshillit bashkiak apo të qarkut ndërkohë që në vitin 2013 kur ishte kryetar bashkie Lulzim Basha ka firmosur pa asnjë miratim apo njoftim të këtij këshilli; tregon se në PS dikush nuk e do Erion Veliajn.
Natyrisht që gjithçkush duhet hetuar dhe duhet të raportojë para organëve ligjore e në këtë rast komisionit hetimor parlamentar, por fakti që Lulzim Bashën nuk e morën në pyetje tregon se në PS po zien kazani, ndërkohë që në PD ka plasur grushti e nuk dihet se si përfundon rrahja në selinë blu.
Edhe ish-ministrin Damian Gjiknuri e morën në hetim parlamentar për një autorizim 25 lëshuar për prodhimin e energjisë elektrike nga plehrat e inceneratorit.
Gjiknuri ka kundërshtarë në PS, jo të vegjël në pozitë ku dukej hapur dhe nga mediat që bashkërëndonin punën me “armiqtë” e tij në mazhorancë, sepse ndërkohë që ish-ministri po sqaronte krejt procedurën e këtij autorizimi formal e ligjor, mediat në fjalë vetëm sa rrotullonin të njëjtin lajm se “Gjiknuri pranon se njeh dy prej bosëve të inceneratorëve”!
Pa dashje dhe pa djallëzi një deputet i PD-së, Lefter Gështenja, tha se Gjiknuri është i vetmi që e merr me të qeshur hetimin parlamentar ndaj tij, pasi nuk ka të bëjë fare me këtë dosje që po hetohet, pasi ka të tjerë që kanë firmosur kontrata e paguar miliona euro.
Me sa duket klanet në PS e duan të varur ish-ministrin. Lufta brenda llojit mbetet më e egër dhe vdekjeprurëse se sa në raport me kundërshtarët politikë.
Lufta për pushtet në mazhorancë sa ka filluar dhe kryeministri e ndjen se diçka po lëviz nën tapetin e zyrës së tij. Edhe sot kur ishte në komisionin hetimor gjatë ditës pyetjet shkonin te një person i cili njihet si miku i Ramës.
Në PS ka filluar era e sherrit në familjen socialiste. Përballë, Edi Rama ka një ish-ministër të brendshëm që ka shumë mbështetje në bazën e PS, si Fatmir Xhafa apo edhe ish-zv/kryeministrin Erion Braçe që mezi po pret ta sakatojë qeverinë.
Duke mos mjaftuar me këto, po përdoret edhe komisioni hetimor që të shigjetojë njerëzit e afërt të kryeministrit. Natyrisht për ato që në të vertetë kanë firmosur në shkelje të hapur të ligjit dhe kanë përfituar për vete nga buxheti i shtetit, duke përdorur treshen e pronarëve të inceneratorëve, e meritojnë ndëshkimin ligjor. Por ajo që kuptohet se po lobohet nga brenda PS direkt te PD për të goditur njeri tjetrin në mazhorancë.
E njëjta skemë sikurse funksionoi kur godiste PD-ja, ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj. Asokohe ishte një lobim që vinte nga selia e PS-së e që furnizonte selinë blu me thasë helmi ndaj Fatmir Xhafajt. Në ato thasë thuhet se kishte edhe euro që shkonin për llogari të sulmit demokrat.
Berisha ditët e fundit ka thënë se ky komision hetimor është organizuar nga disa klane në PS në bashkëpunim me Bashën për të goditur disa politikanë në mazhorancë.
KOHA JONË SONDAZH

