Berisha me gratë demokrate të LDG: Shqiptarët kanë marrë arratinë, ministret e Ramës pa forcë morale

Sali Berisha, mbajti sot (25 Dhjetor) një pritje dhe takim me Lidhjen Demokratike të Gruas, pikërisht në ditën e Krishtlindjes. Të pranishëm edhe forumi rinor demokrat dhe përfaqësuese të strukturave të PD.

Takimi nisi me një fjalim përshëndetës dhe urim për festat, por edhe me mbi 300 ditët e ”qëndresës”, referuar arrestit shtëpiak të Berishës për dosjen e aferës “Partizani”, teksa drejtueset e LDG-së e quajtën ish-kryeministrin edhe si simbolin e rrugës së shpresës. ”Është një nder i veçantë për mua, në këtë ditë të bekuar, të përshëndes zonjat, zonjushat demokrate, motrat tona, duke kujtuar ditën e shënuar të lindjes së Krishtit, duke mos harruar se është profeti i të gjitha besimeve. Përulem para qëndresës suaj”, e nisi fjalën Berisha.

Pjesë nga fjala

Keni përjetuar kalvar në regjimin e qeverisë. Mund t’i japim shumë epitete këtij regjimi, por kam arritur në përfundim se i përshtatet, le ta quajmë Luciferit. Me këtë term të marrë nga mitologjia, ku zbriti për të bërë ndryshim dhe krijoi katastrofë me fuqi shkatërrimtare të paparë në ndonjë komb tjetër. Ata që e pësuan më rëndë dhe më shumë janë nënat shqiptare (i referohet qeverisë Rama). Sot në Shqipëri janë qindra dhe mijëra nëna që s’i kanë në vatra fëmijët e tyre, por i kanë përcjellë në rrugët e huaja. Qindra e mijëra gjyshe që jetojnë në vetminë e thellë, sepse ata që duhet të kujdeseshin janë larguar dhe kanë marrë rrugët e dheut. Përballen me një varfëri ekstreme, të frikshme, i mohon mjekimin, i imponon zhytjen.

SHKARKO APP