Berisha mesazh qytetarëve 24 orë para protestës: Mosbindja civile, nisja e kapitullit të fundit të historisë së zezë 11-vjeçare
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar sot se protesta e 7 tetorit, duke iu referuar si mosbindja civile vjen si përgjigjja e vetme që opozitës shqiptare i ka mbetur ndaj narkoshtetit të Edi Ramës. Në një mesazh adresuar qytetarëve pak më shumë se 24 orë para protestës së paralajmëruar, Berisha tha se nesër nis mosbindja civile kundër narkoshtetit, kundër mafies dhe kundër kreut të krimit të organizuar Edi Ramës.
“Rreth 24 orë na ndajnë nga dita e madhe e 7 tetorit. Në këto orë të fundit, dëshiroj tu adresoj këtë mesazh. Nesër në Shqipëri fillon mosbindja civile, pa kthim deri në vendosjen e qeverisë teknike. Në prag të kësaj ngjarjeje historike dua të jap disa sqarime të fundit për qytetarët shqiptarë dhe të adresoj thirrjen time për qytetarët shqiptarë. Kjo mosbindje civile nuk vjen si rrufe në qiell të hapur. Nesër nis mosbindja civile kundër narkoshtetit, kundër mafies dhe kundër kreut të krimit të organizuar Edi Ramës. Është radha jonë. Është nisja e kapitullit të fundit të kësaj historie të zezë 11-vjeçare të historisë së Shqipërisë”, deklaroi Berisha.