Berisha në foltoren para Kryeministrisë: Do ikim nga ky shesh me fitore
Partia Demokratike organizoi sot protestën e radhës para Kryeministrisë, një javë pas themelimit të foltores parlamentaro-qytetare. Sali Berisha tha se koha po thërret sot çdo të ri shqiptar që të jetë në këmbë për të shpëtuar vendin nga nga kjo katastrofë e vërtetë në të cilën rrokulliset. Kreu i PD tha se do të mblidhen para Kryeministrisë deri në largimin të hajdutëve nga qeveria.
“Këtë vend këtu nuk e kemi zgjedhur kot. Jo, ta dini secili prej jush. Kërkohen sakrifica. Ne do mblidhemi këtu, ky është sheshi ynë, ky është sheshi i lirisë. Do e çlirojmë edhe atë ndërtesë. Erdhëm këtu për t’i qëndruar armikut përballë. Erdhëm këtu për të mos ikur kurrë nga ky shesh pa fitoren.
Çdo shqiptar duhet ta dijë këtu se ky shesh, kjo foltore përmbush misionin e saj vetëm kur shqiptarët të largojnë këta hajdutë nga qeveria. Ndaj dhe u bëj thirrje shqiptarëve, shpirtit të tyre të protestës, idealeve të tyre të lirisë, karakterit dhe dinjitetit të tyre, të ngrihemi se këta hajdutë po vjedhin paratë, po vjedhin qenien tonë, po vjedhin të ardhmen tonë, po shkatërrojnë Shqipërinë”, tha Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

