Berisha: Në tunelet e Shqipërisë groposen helme të tmerrshme. Ky është një krim monstruoz ndaj shqiptarëve

Anijet me mbetje toksike/ Berisha: Kemi të bëjmë me një biznes kriminal të rrezikshëm të Edi Ramës dhe klanit të tij. Në tunelet e Shqipërisë groposen helme të tmerrshme. Ky është një krim monstruoz ndaj shqiptarëve

FJALA E PLOTE E SALI BERISHES:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar.

Përshëndetje të përzemërt oratorëve të parlamentit të fjalës së lirë.

Një mirënjohje dhe përshëndetje të gjithë protestuesve që sot rrethuan përsëri bashkinë e Tiranës në një akt proteste ndaj njeriut më faqezi në historinë e kryeqytetit, hajdutit më të papërmbajtur, individit më pa karakter, vjedhësit të shpërfytyruar, Erion Veliaj.

Të dashur miq, sot qytetarët shqiptarë janë njerëzit më të pasigurt në Europë.

Janë njerëzit më të ndëshkuar, më të pambrojtur.

Katër ditë më parë i morën jetën se nuk pagoi gjobën Egli Progës.

Kreu i narkoshtetit të nesërmen njoftonte shqiptarët se italiani që gjeta këtu turist shëtit i lirë me orë 30 mijë euro. Kjo ishte përgjigjja e tij për të mbuluar gjobën që vrasësi Denis Meçe i vuri babait të dy fëmijëve, Egli Progës.

Të dashur miq, këto ditë mediat botërore po ziejnë se dy anije të njërës prej kompanive më të mëdha në botë në transport detar, janë nisur nga Durrësi me mbetje toksike. Me lëndë të rrezikshme. Me 140 kontejnerë të ngarkuar në Durrës.

Flet e gjithë bota, flasin mediat më të mëdha.

Anijet e nisura për në Tajlandë, mbretëria e Tajlandës i ktheu mbrapsht.

Nuk mund të pranohej.

Shteti nga u nisën zbaton kodin Omerta, kodin e mafies, heshtjen e varrit, pavarësisht se janë rreth 140 kontejnerë.

Pavarësisht se janë ngarkuar nga porti i Durrësit.

Pavarësisht se janë helme të rrezikshme.

Nuk ka dyshim që kemi të bëjmë me një biznes kriminal të rrezikshëm, shumë të rrezikshëm për jetën, shëndetin e shqiptarëve.

Të dashur miq, kemi të bëjmë me një biznes kriminal të rrezikshëm të Edi Ramës dhe klanit të tij qeveritar.

Më thoni mua, si ka mundësi në një vend të prodhohen mijëra ton mbetje toksike dhe të jenë jetime? Të mos dalë prodhuesi i tyre?

Të mos u dalë zot prodhimeve?

Si ka mundësi që asnjë institucion që paguhet për kontroll të çdo gjëje që prodhohet në këtë vend, të çdo eksporti nga ky vend, të mos thotë dot një fjalë të vetme?

Cili qenka ai biznesmen i aftë që asgjëson çdo inspektoriat në Shqipëri, që asgjëson dogana, tatime, kontrolle e gjithçka tjetër dhe nis në det mijëra e mijëra ton helme lëndë toksike?

Jo, ky nuk mund të jetë një biznesmen, ky mund të jetë vetëm kryepadrinoja e Shqipërisë, Edi Rama me klanin e tij.

Miqtë e mi, akoma e keni memorien e freskët kur ky aventurier, ky kriminel mori përsipër armët kimike të Asadit në Shqipëri, pa pyetur njeri.

A e dini ju sasinë kolosale të mbetjeve që prodhohej nga shkatërrimi i tyre?

Por qe rinia e Tiranës, qenë protestat e fuqishme që e përkulën aventurierin, kriminelin, që donte për karrigen e tij të shkatërronte në Shqipëri armët kimike të diktatorit sirian, Asad.

Të dashur miq, unë duhet t’u them shqiptarëve se prej disa kohësh qarkullojnë lajme se në tunelet e Shqipërisë groposen helme të tmerrshme.

Natyrisht unë duhet të jem i sinqertë, përveç lajmit nuk kam arritur të kem në dorë një fakt konkret, sepse kurrë nuk do ta lija pa e bërë publik.

Por groposja në tunelet e vendit të helmeve është një krim monstruoz ndaj shqiptarëve kur ke parasysh se ujërat nënujore të këtij vendi janë edhe më të shumta se ujërat mbitokësore të tij.

Nuk them, nuk kam fakte, por ama mijëra ton lëndësh lënë me të drejtë të dyshohet se këtu ndodhin procese të tmerrshme, të fshehta, sekrete për pasurimin e Edi Ramës dhe të bandave të tij në pushtet.

Çfarë janë ato? Një gjë është e sigurt që në 32 vite kjo nuk ka ndodhur kurrë.

Këtu ka furrnalta kromi, hekuri, alumini. Mbetjet e tyre ata i kanë të kodifikuara se ku i transportojnë dhe ku i eksportojnë.

Kurse këto ishin një akt supermafioz, u nisën për në Trieste, u ndaluan. U kthyen për në Tajlandë, Tajlanda sapo e mori vesh, i ktheu për në Shqipëri, nuk keni punë këtu.

Çfarë janë këto helme që shëtisin nga një det në një tjetër dhe Edi Rama, Pirro Vëngu, Lubi Balluku heshtin si fija e barit.

E kujt është kontrata?

Cilat janë lëndët që vijnë dhe shkatërrohen në Shqipëri dhe mbetjet e tyre eksportohen dhe nuk i pranon njeri se janë helme toksike?

Miq, kjo është një situatë, ky është një krim tej çdo kufiri. Ky është një dhunim i çdo ligji shqiptar, çdo ligji ndërkombëtar.

Unë kam një thirrje për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me urgjencë të sjellë një komision.

Thirrje për OSBE-në, të sjellë një komision.

Thirrje për NATO-n, të sjellë një hetim se në lojë, në rrezik është jeta, siguria e një vendi dhe një kombi nga një aventurier, nga një kriminel kryeministër që për pasurimin e tij është i aftë të kryejë çdo krim, është i aftë të fshehë çdo krim.

Po si ka mundësi, mediat botërore ziejnë për lugetërit me helmet e mbushura në Shqipëri, dhe një zyrtar i vetëm shqiptar nuk thotë një fjalë se nuk guxon?

Cilat janë lëndët që vijnë dhe shkatërrohen në Shqipëri?

Cilat janë helmet e tmerrshme që vijnë dhe groposen në tunelet e Shqipërisë?

Edi Rama është një armik i egër i shëndetit dhe qenies së shqiptarëve.

Për ç’motiv shkel ai çdo ligj të vendit? Shkel ligjin ndërkombëtar.

Kërcënon vendin, popullin e tij.

Kërcënon të tjerët me helmet që eksporton.

Jemi këtu para një skandali tmerrësisht të keq, të rrezikshëm me pasoja jashtëzakonisht të paparashikuara.

Ndaj dhe thirrje ime për institucionet e mësipërme ndërkombëtare, të sjellin komision hetimor, të studiojnë mbetjet e rrezikshme në mijëra e mijëra ton që janë nisur nga Durrësi si kurrë ndonjëherë më parë.

Nuk ka njerëz më të pasigurt se shqiptarët sot me një kryeministër mafioz që është i aftë të marrë çdo vendim për pasurimin dhe pushtetin e tij.

Të dashur miq, nesër 80 mijë banorë të Krujës, Fushë Krujës, Thumanës, janë në protestë legjitime.

I bëj me dije Rrumbullakut, mos kërcëno protestuesit dhe mos guxo se çdo acarim do ta paguani shtrenjtë.

Ata janë në të drejtën e Zotit, në të drejtën e tyre, janë njerëzit më të ndëshkuar.

Ndaj dhe rruga është e tyre, mos guxo të prekësh njeri me dorë

SHKARKO APP