Berisha paralajmëron ndryshime në PD: Nuk pranohet më letargji, 50 mijë anëtarë janë pak
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka paralajmëruar ndryshime të mëtejshme në strukturat e partisë, duke e vendosur procesin e “ripërtëritjes” në qendër të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së këtë të enjte. Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar, Berisha tha se riorganizimi nuk duhet të ndalet te ndryshimet e bëra në strukturat drejtuese, por duhet të shtrihet në të gjitha nivelet e partisë, duke nisur nga vetë drejtuesit.
Sipas tij, Kuvendi Kombëtar ka sjellë tashmë ndryshime në Këshillin Kombëtar dhe Kryesi, por kjo nuk është e mjaftueshme. Berisha kërkoi një “shtrirje kapilare të ripërtëritjes”, me ndryshime në aspektin numerik, hapësinor dhe funksional të organizimit të PD-së. “Duhet ta fillojmë nga vetja ripërtëritjen dhe do ta shtrijmë në të gjitha nivelet”, deklaroi Berisha, duke nënvizuar se drejtuesit duhet të jenë të parët që t’i nënshtrohen këtij procesi.
Një tjetër pikë e rëndësishme e ndryshimeve, sipas kryedemokratit, është aktivizimi i anëtarësisë. Berisha tha se PD-ja ka aktualisht rreth 40-50 mijë anëtarë, por kjo shifër nuk është e mjaftueshme dhe mbi të gjitha duhet rritur shkalla e përfshirjes së tyre në aktivitetin politik. Ai kërkoi gjithashtu anëtarësime të reja, duke argumentuar se partia duhet të ripërtërijë radhët me figura dhe vlera të reja.
“Nuk pranohet më letargji në radhët tona. Jo!”, u shpreh Berisha. Sipas tij, anëtari duhet të jetë në epiqendër të procesit të riorganizimit, me më shumë rol dhe hapësirë brenda strukturave të PD-së. Berisha e lidhi këtë proces edhe me situatën politike, duke pretenduar se qeveria dhe kryeministri Edi Rama ndodhen në një fazë dobësimi politik. Sipas tij, kjo situatë duhet t’i japë opozitës motivimin për të përshpejtuar ndryshimet e brendshme.
KOHA JONË SONDAZH

