Berisha premton faljen e gjobave për dritat, ujin dhe kamatat

Sali Berisha ka akuzuar qeverinë për rritjen e çmimit të naftës për shkak të taksës prej 1.1 euro për litër, duke theksuar se ky çmim pasqyrohet në çmimet e mallrave të tjera. Ai premtoi uljen e taksave dhe barazimin e çmimit të naftës me ata të Kosovës dhe Maqedonisë. ”Kjo qeveri, unë nuk di ndonjë të dytë, iu merr në çdo litër naftë 1.1 euro. Merr në çdo litër naftë taksë. Prandaj nafta këtu shitet 40-50 përqind më shtrenjtë se në Kosovë dhe Maqedoni. Po shumë mund të thonë, nuk kemi vetura. Jo, çmimi i naftës pasqyrohet edhe tek çmimi i domateve, orizit, sheqerit, në çmimin e çdo gjëje që transportohet”.

Berisha premtoi se me ardhjen në pushtet do të falet çdo gjobë që është vendosur për dritat, ujin, ndërtimet në fshatra dhe në qytet si dhe për kamatat. Gjatë një takimi me banorët e kryeqytetit kreu i selisë blu tha premtoi edhe përgjysmim të barrës fiskale në dy muajt e parë të qeverisjes së PD.

”Ne do përgjysmojmë barrën fiskale, do e barazojmë me të vendeve përreth në mënyrë që nafta të mos mund të shitet asnjëherë më shtrenjtë se plus/minus 10 përqind krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë. Dhe së fundmi, po në këtë paketë, të gjitha gjobat e pensionistëve, e biznesit të vogël, të gjitha gjobat me kamata të energjisë elektrike do amnistohen dy muajt e parë të qeverisjes së PD”.

Sipas kreut demokrat kamatat ndaj qytetarëve merren në mënyrë të paligjshme, pasi sipas tij ato janë falur njëherë. “Këta ndërtojnë pallate dhe nuk paguajnë gjoba, kurse atë që ngre çatinë e tij në fshat e marrin dhe e rrasin në burg, është reale kjo që po them. Kjo merr fund, do falet çdo gjobë që është vendosur për dritat, për ujin, ndërtimet në fshatra në qytet, kamatat. Kamatat e marrin në mënyrë të paligjshme s’ka ligj, se ato janë falur njëherë. Drejtori i OSHEE, ish-drejtori, merr dhe punëson qindra patronazhistë dhe pastaj vërsulet se si e si të marr gjoba, kamata e fatura false nga qytetarët, marrin fund këto, e kam deklaruar, do ketë amnisti për gjobat dhe për biznesin e vogël, jo vetëm për qytetarët”.

Berisha premtoi gjithashtu edhe rimbursim 100 përqind për të gjitha ilaçeve që i ka një vend i si Italia. “Nga kjo përfitojnë mbi 510 mijë pensionistë, të cilët marrin pension jo të plotë, por të pjesshëm. Pensioni i pjesshëm është nga 90 gjer në 130-140 euro. Jo, këta të gjithë pa përjashtim do marrin 200 euro. Përfitojnë edhe ata që nuk kanë asnjë pension. Edhe ata do marrin 200 euro. Nuk mund t’i lërë shoqëria kurrë në mëshirë të fatit”.

SHKARKO APP