FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Berisha: Raporti i PPE sugjeron qeverinë teknike

Kreu i PD-së, Sali Berisha thotë se raporti i Partisë Popullore Europiane sugjeron qeverinë teknike si zgjidhje për një proces zgjedhor të ndershëm. “Kurrë ndonjëherë një raport i tillë nuk është votuar në një organizatë kaq prestigjioze, kaq të rëndësishme siç është PPE. Raporti sugjeron qeverinë teknike si zgjidhje për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Mbështet PD-në në të gjitha përpjekjet e saj në kushtet më të vështira”, tha Berisha gjatë një dalje për shtyp nga selia blu. “Pra, kemi të bëjmë me një raport si asnjë tjetër më parë. Unë e di që Edi Rama bën gjithçka ta censurojë, por unë ftoj mediat, ftoj qytetarët shqiptarë ta lexojnë atë raport për të parë se cili është qëndrimi i PPE, parti e cila de facto me qeveritë në pushtet, qeveris Evropën”, shton kreu demokrat.

FJALA E PLOTE

Dy ditët e fundit, së bashku me zonjat Albana Vokshi, Jorida Tabaku dhe Enrik Çenon, Genti Strazimirin, morëm pjesë në punimet e asamblesë politike të Partisë Popullore Evropiane. Ajo çka unë mund t’u raportoj sot përveç një seri takimesh që zhvilluam me përfaqësues të partive simotra, takime e biseda të shkurtra me presidentin e PPE, me kancelarin e Austrisë dhe me përfaqësues të vendeve të tjera mike, pas Ukrainës, Shqipëria ishte në epiqendër të punimeve të asamblesë politike të PPE.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për Shqipërinë, asambleja miratoi raportin e misionit faktmbledhës që dërgoi, të përbërë nga 27 anëtarë, në datën 26-27 shkurt të vitit 2026. Dhe po për Shqipërinë, asambleja miratoi një rezolutë të veçantë kushtuar Shqipërisë dhe gjendjes në Shqipëri.Unë shfrytëzoj rastin të shpreh mirënjohjen më të pakufishme për drejtuesit e PPE, presidentin Veber, sekretaren e përgjithshme Monstserrat, të gjithë ata që erdhën në misionin faktmbledhës për raportin e jashtëzakonshëm që ata publikuan dhe miratuan dje në asamblenë politike të PPE.

Swiss Digital Mobile Reklama

Raporti është një pasqyrë e veçantë, besnike si asnjëherë më parë në historinë e vendit e Shqipërisë, regjimit të Edi Ramës, regjimit që ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale, regjimit që ka përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë, që kontrollon mediat dhe drejtësinë, regjimit të bazuar në kapjen e shtetit, drogën, krimin dhe korrupsionin.

Kurrë ndonjëherë në ndonjë raport ndërkombëtar, të vërtetat e hidhura të Shqipërisë nuk kanë dalë aq qartë sa në këtë raport. Raporti ka një bosht, dhe mund t’u them se boshti i tij është kapja e shtetit. Shqipëria është një shtet i kapur nga krimi, droga, organizatat kriminale. Shqipëria sipas raportit, i cili citon V-Dem, thotë se ka deficite të thella, të mëdha në parimet themelore të procesit zgjedhor. Shqipëria, sipas raportit, ka ndërtuar një rrjet patronazhistësh, sistemin e blerjes së votës, ka angazhuar grupet kriminale për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve.

Ka zhdukur linjën ndarëse midis institucioneve të shtetit dhe strukturave partiake. Shqipëria pra është vendi në të cilin narkoeurot janë shndërruar në një faktor që po shkatërrojnë ekonominë shqiptare. Vendi në të cilin gara nuk ekziston ose është krejt fiktive. Makineri gjigante e larjes së parave të krimit dhe të drogës. Vendi në të cilin zyrtarisht mbrohet korrupsioni. Raporti ndalet plotësisht në dosjen Balluku, në qëndrimet e Edi Ramës ndaj kësaj dosje që e implikojnë atë direkt, në sulmet që Edi Rama i bën prokurorisë dhe gjykatës për këtë dosje. Ndalet tek AKSHI, tek dora e zezë e tij në dosjen e AKSHI-t. Ndalet tek koncesionet dhe PPP-të. Tek prokurimet publike me klientelë.Edhe këtu, nuk ka garë, nuk ka linjë ndarëse. Gjithçka e përqendruar në duart e Edi Ramës.

Kurrë ndonjëherë një raport i tillë nuk është votuar në një organizatë kaq prestigjioze, kaq të rëndësishme siç është PPE. Raporti sugjeron qeverinë teknike si zgjidhje për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Mbështet PD-në në të gjitha përpjekjet e saj në kushtet më të vështira. Pra, kemi të bëjmë me një raport si asnjë tjetër më parë. Unë e di që Edi Rama bën gjithçka ta censurojë, por unë ftoj mediat, ftoj qytetarët shqiptarë ta lexojnë atë raport për të parë se cili është qëndrimi i PPE, parti e cila de facto me qeveritë në pushtet, qeveris Evropën.

Bazuar në këtë raport, në të njëjtat terma qëndron rezoluta e miratuar. Në të njëjtat denoncime, në të njëjtat konstatime, në të njëjtat sugjerime. Por, meqenëse raporti ishte i shkurtit dhe është pasuruar me disa ndryshime, dua t’u them se rezoluta i jep mbështetje të fuqishme protestës rinore qytetare në Tiranë. Dhe ne përdorëm mundësitë e krijuara për të hedhur poshtë propagandën armiqësore të Edi Ramës i cili, siç u informuam, ka shpërndarë me qindra dhe mijëra mesazhe në të gjithë elitën evropiane, në të cilat e paraqet lëvizjen e idealeve më fisnike të të rinjve shqiptarë, si një lëvizje të organizuar dhe të frymëzuar nga Garda Revolucionare famëzezë e Iranit në një përpjekje për ta damkosur ndërkombëtarisht këtë lëvizje.

Edhe në bisedat e veçanta, por edhe në fjalën time që mbajta, garantova të pranishmit se ai është një trillim i paskrupullt i Edi Ramës. Se ajo është një lëvizje, një shpërthim i idealeve më fisnike, më të larta të rinisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë. Dhe se Edi Rama po përpiqet me çdo kusht ta përlyejë pa asnjë fakt, bazë apo dokument. Sikundër informova se ka angazhuar kompani të huaja, ka angazhuar shuma të mëdha, një numër të madh, një armatë të tërë në betejën kundër algoritmit vetëm e vetëm që t’u marrë protestuesve algoritmin. Dhe se ai merret në kundërshtim me çdo ligj, me të dhënat e tyre personale, me të cilat kërkon të identifikojë një lëvizje qindra mijëra qytetarëve nga Shqipëria dhe diaspora kundër tij. Konstatova me kënaqësi një mbështetje të madhe për këtë lëvizje dhe kjo u sanksionua edhe në rezolutën që asambleja politike e PPE miratoi për Shqipërinë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se protesta para kryeministrisë do të ketë sukses apo do shuhet?