Berisha rrëzon shifrat e turizmit: Buxheti i shtetit fitoi vetëm 8 milionë euro! Turistët fjetën vetëm… gjysmë nate në vend

Berisha rrëzon shifrat e turizmit: Buxheti i shtetit fitoi vetëm 8 milionë euro! Turistët fjetën vetëm… gjysmë nate në vend

FJALA E PLOTE

Mirëmbrëma dhe përshëndetje qëndrestarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë të shqiptarëve, oratorëve që me fjalët e tyre ndriçojnë mendjen dhe zemrat e shqiptarëve.

Të dashur miq!

Sot kam vendosur të paraqes para jush falsitetin e tmerrshëm të magjisë së turizmit, për të cilin televizionet e qeverisë flasin ditë e natë.

Do t’u njoh sonte me studimet e të dhënat reale të ekonomistëve se në rast se ka në botë një turizëm me lugë bosh, është turizmi i Shqipërisë.

Të kuptohemi, në bindjen time më të thellë, Shqipëria me burimet e saj natyrore, me trashëgiminë e saj të jashtëzakonshme kulturore, me mikpritjen e veçantë shqiptare, nuk e ekzagjeroj po të them se mund të synojë nga vendet më të para në botë.

Se mund të jetë ndoshta me potencialin e saj turistik si asnjë vend tjetër për sipërfaqen që ka.

Por çfarë ndodh? Ku renditet Shqipëria sot? Shqipëria sipas Forumit Ekonomik Botëror të Davosit renditet në vendin e 66-të.

Shqipëria renditet në vendin e 66-të jo se ajo nuk i ka magjepsëse potencialet e saj, por menaxhimi i këtyre potencialeve është mizerabël, është nga hajdutë që vjedhin nga mëngjesi gjer në darkë.

Të dashur miq!

Shqiptarët duhet ta dinë se çfarë falsiteti, çfarë mashtrimi, por duhet ta mësojnë se si turizmi është shndërruar në një ndëshkim, në një pasuri të mallkuar për ta.

Më lejoni të jap shifrat, faktet.

Edi Rama dhe instituti i tij deklarojnë se në Shqipëri janë futur 10.1 milionë turistë në vitin 2023.

Nuk po e kundërshtoj, po e marr të vërtetë.

Po çfarë tregon instituti i tij? Instituti i tij thotë se në Shqipëri në vitin 2023 pati gjithsej në të gjithë shtretërit privatë të këtij vendi 6 milion net.

Pra, 10.1 milion fjetën në Shqipëri pak më shumë se gjysmë nate për person.

Miqtë e mi!

Statistika tregon se Mali i Zi në vitin 2023 pati 2.8 milionë turistë.

Por Mali i Zi pati 16.8 milionë net fjetje në vitin 2023. Mali i Zi pati rreth 8 net fjetje për një turistë.

A e imagjinoni ju o miq, gjysëm nate në Shqipëri, 8 net në Mal të Zi.

Kroacia pati në të njëjtin vit, 20.5 milionë turistë. Pati 105 milionë net fjetje. Pati mbi 5 net fjetje për një turist, kundrejt gjysëm nate në Shqipëri.

Kjo është shakaja e dheut. Ky është falsiteti dhe turpi i tyre.

Po të marrim anën tjetër. Banka e Shqipërisë deklaron se në vitin 2022, nga turizmi hynë në ekonomi 2.8 miliardë euro.

Prisni miq! Po sa pagoi turizmi TVSH në Shqipëri? Sa ishte TVSH-ja që përfituat nga të gjitha shitjet e shtretërve turistike?

Të gjitha shitjet ishin gjithsej 140 milionë euro.

Me TVSH 6 përqind, pa rimbursim të TVSH-së, buxheti i shtetit fitoi gjithsej 8 milionë euro.

A ka pra falsitet më të madh?

A ka mashtrim më të madh?

A e ndjeu ekonomia shqiptare këtë?

Për ta kuptuar se sa e ka ndjerë ekonomia, do u jap shifrat zyrtare.

Në vitin 2022, me 7 milionë turistë, rritja ekonomike ishte 4.48.

Në vitin 2023, me 10.1 milionë turistë, rritja ekonomike jo vetëm që nuk u rrit në 6 përqind, por zbriti në 3.4 përqind.

A e kuptoni ju falsitetin e tmerrshëm të turizmit kallp?

Të turizmit, të cilin ekonomia shqiptare nuk e ndjen se ekziston.

Të cilin qytetarët shqiptarë e gëzojnë me 8 milionë euro.

Po bujqësia?

A e dini ju se eksportet e bujqësisë kanë rënie të ndjeshme dhe 80 përqind e frutave dhe perimeve janë importi.

Po pse? Tokat djerrë nuk ka kush t’i punojë.

Dhe kjo para që fitohet nga turizmi, kjo shkon për importin e ushqimeve, për importin e zarzavateve, për importin e mishit, për importin e frutave.

Kjo është magjia e rreme e turizmit të narkshtetit të Edi Ramës.

Por më parë unë u thashë se turizmi që dëgjojnë shqiptarët nga teleturizmat, të cilat në mënyrën më të papërgjegjshme nga mëngjesi deri në darkë përpiqen të sugjestionojnë njerëzit pa u treguar të vërtetat e kallp-turizmit shqiptar.

Turizmi pra është një pasuri përrallore e shqiptareve, por mallkim për qytetarët shqiptarë.

Po pse? Sepse duhet ta dini se për investitorët strategjikë të Edi Ramës, trafikantët, kriminelët e urryer që marrin tituje e investitorit strategjik, nga trojet publike janë dhënë rreth 6 kilometër katror troje.

Çdo vit nga buxheti juaj o qytetarë, për infrastrukturën e këtyre resorteve janë shpenzuar 400 milionë euro.

Pra, Banka e Shqipërisë na informon se u futën 2.8 miliardë.

Thesari i vendit informon se çdo vit shpenzohen 400 milionë euro në mbështetje të investitorëve strategjikë të Edi Ramës.

Po a e dini ju o miq se me 3.2 miliardë euro, rrogat e Shqipërisë do ishin sot 300 përqind më të larta.

Pensionet e shqiptarëve do të ishin sot 200 përqind më të larta.

A ka pra mallkim, a ka mënyrë se si të shndërrosh pasuritë përrallore të vendit tënd në një mallkim për qytetarët e tu.

Ja pra ku është shembulli.

Edi Rama flet nga mëngjesi deri në darkë, përdor si drogë turizmin se mendon se do gënjejë shqiptarët.

Shkoni pak në zonat malore turistike, nga Çajupi në Markofshe, Edi Rama në masivin malor-kodrinor të Shqipërisë ka investuar gjithsej në segmente rrugësh të papërfunduara 38 milionë euro.

Në një kohë kur janë këto zona, të cilat i japin Shqipërisë pasaportën e vendit me turizëm në çdo muaj të vitit.

Me turizëm vjetor.

Çfarë bëri Edi Rama me të ardhur në pushtet, nën ndikimin e trafikantëve të drogës?

Hoqi ligjin me të cilin investimet në zonat malore përjashtoheshin nga taksat për një periudhë 8-vjeçare.

E riktheu këtë ligj për bregdetin, aty ku e urdhëruan trafikantët e drogës.

Ja ku është Biza miqtë e mi, një nga bukuritë më të mëdha natyrore. Biza e ndaluar ndër shekuj për shqiptarët, vazhdon edhe sot.

Doli njëherë në Sari Sëlltik dhe këndonte këngën e rrugës së ndërtuar nga qeveria ime si kaposh mbi pleh.

Shkoni pak, një nga destinacionet më përrallore në të gjitha vlerësimet është kanioni, një fjord, është Liqeni i Komanit gjer në Alpe.

Ai sot është një nga liqenet më të pista dhe rruga që mbeti Vau i Dejës-Koman është rruga më e shkatërruar e Ballkanit.

Një ditë, një deputete e Shkodrës ngriti problemin e saj. Përgjigja e Ballukes ishte se ku është rrugë turistike ajo, është rrugë energjetike. O injorancë, o turpi i dheut.

Ajo është një nga drejtimet turistike më mahnitëse, më përrallore. Breg liqenit, si një fjord.

Lumi i Shalës nga destinacionet sot më kryesore, Valbona magjepsëse me pamjet e saj.

Pra, miqtë e mi nga turizmi 10.1 milionë i Edi Ramës fitojnë një grusht trafikantësh.

Një grusht miqsh klientelë e Edi Ramës.

Kurse qytetarët fitojnë nga TVSH-ja e tyre, shumën më qesharake në botë, 8 milionë euro.

Shqipëria është i vetmi vend i planetit, ku turistët flenë vetëm gjysëm nate.

Ky është turizmi i hiçit, sepse në përcaktimin e Organizatës Botërore të Turizmit, turist quhet personi që fle të paktën një natë në vendin ku shkon.

Ata që flenë vetëm gjysëm nate janë turistë të Edi Ramës, por jo të shqiptarëve.

Ky është një turp dhe një faqe e zezë.

Dhe këta me pagesa që i bëjnë Edi Ramës, gllabërojnë çdo vit 400 milionë euro investime në mënyrën më kriminale.

Këto janë vetëm për resortet, se të marra në tërësi, gjoba e tmerrshme e shqiptarëve nga turizmi tejkalon çdo imagjinatë mbi tokë.

Tuneli turistik i Llogarasë u kushton shqiptarëve 20 mijë euro për shtrat turistik.

Tuneli turistik i Llogarasë u kushton shqiptarëve 12 mijë euro për banor në kulmin e turizmit.

A ka ndëshkim më të madh për qytetarët e këtij vendi se sa një hajdut i marrosur nga vjedhja dhe hajnia. Nuk njeh ligj dhe as kufi, por gjobit në mënyrë të tmerrshme qytetarët e tij.

Aeroporti i Vlorës, që Ballukja e reklamon si më të madhin në Ballkan, po ja ku është aeroporti i Rinasit, e pati kompania Hochtief, e zgjeroi njëherë dhe priti 3 vite, 4 vite dhe e zgjeroi përsëri. Tani po privati po e zgjeron përsëri.

Por tani ti ndërton aeroportin e Vlorës, duke i detyruar shqiptarët të paguajnë vitin e parë të paktën 300 mijë bileta pasagjerësh që nuk do vijnë.

Sepse kontrata është që shteti do i paguajë ndërtuesit çdo biletë të 600 mijë biletave.

A ka gjobë më të madhe?

A ka mënyrë tjetër për të shndërruar turizmin në mallkim për shqiptarët nga kjo racë e shpifur hajdutësh?

U bëj thirrje medieve, mos damkosni veten me propagandën vulgare.

Thuajuni të vërtetat shqiptarëve. Merrni ekonomistët në studio të tregojnë këto që them unë.

Të dinë se si Edi Rama shndërroi pasurinë më përrallore të shqiptarëve në ndëshkim dhe mallkim për qytetarët shqiptarë.

Shpresa e vetme jeni ju,

Ndaj dhe të gjithë në betejë për të shndërruar këtë pasuri përrallore në mirësi për çdo qytetar të këtij vendi.

Për të shndërruar këtë pasuri përrallore në pasuri për çdo qytetar të këtij vendi.

SHKARKO APP