Berisha: Vendosja e një takse prej 4.2 euro vajtje-ardhje për 20 kilometra rrugë Thumanë-Kashar është antiveriore dhe antiligjore!

Sali Berisha gjatë konferencës për mediat, akuzoi Kreyministrin Edi Rama se, ka vendosur taksa raciste ndaj një pjese të vendit. Lideri i opozitës gjithashtu taksën e rrugës Kashar-Thumanë, e cilësoi si taksë të urrejtjes kombëtare. Më tej Berisha u shpreh se taksa që vendoset në segmentin rrugor 20 km është absolutisht antiligjore sepse çdo qytetar shqiptar paguan njërën prej taksave më të larta në Europë.

“Së pari një urim të përzemërt për ju që keni dalë këtë ditë në punë. Së dyti, përsëri një urim për të gjithë ata që na ndjekin në këtë bisedë me ju. Çështjet që desha të sjell para jush dhe shqiptarëve janë së pari, vendosja e taksës raciste, diskriminuese për 20 kilometra rrugë, Ura e Limuthit-Thumanë. Kjo taksë, e cila është një nga më të shtrenjtat në Europë dhe botë, po të kemi parasysh segmentin 20 kilometra, është një taksë jashtëzakonisht problematike, pasi është taksë kundrejt banorëve më të varfër të Shqipërisë dhe më të varfër të Europës.

Duhet të sqaroj këtu se të ardhurat për frymë të qarqeve të veriut janë rreth dy herë më të ulëta se të ardhurat për frymë të qarqeve të Shqipërisë së mesme dhe të jugut.

Vendosja e një takse prej 4.2 euro vajtje-ardhje për 20 kilometra rrugë të ndërtuara është akt urrejtje kombëtare, është diskriminim antikushtetues pasi taksa e tillë e ngjashme nuk ekziston në autostradat e tjera të kategorisë A që shtrihen nga Vlora në Fier, nga Elbasani në Tiranë, etj. Pra, pretendimi se është kategori A, është një mashtrim i turpshëm i Lubi Ballukut dhe Edi Ramës sepse nuk ka asnjë lidhje. Kategori A është rruga nga fillimi i bajpasit të Fierit gjer në Vlorë, nga Farka gjer në Elbasan dhe nuk ka asnjë taksë për këta banorë që kanë pothuaj dyfishin e të ardhurave krahasuar me banorët e Kukësit, Tropojës, Hasit, Pukës dhe zonave të tjera.

Taksa që vendoset në segmentin rrugor 20 km është absolutisht antiligjore sepse çdo qytetar shqiptar paguan njërën prej taksave më të larta në Europë, taksë qarkullimi, 270 lekë për çdo litër naftë, nga e cila mblidhen qindra milionë euro dhe destinacioni i vetëm ligjor i tyre është mirëmbajtja e rrugëve. Në qoftë se vilen çdo vit 200 milionë apo 160 milionë euro me këtë taksë, në buxhetin e këtij viti janë akorduar për mirëmbajtjen e të gjithë rrjetit rrugor të Shqipërisë gjithsej 30 milionë euro, një shumë qesharake. Pra, taksa që merret për rrugën është e paguar në taksën e qarkullimit. Vidhet nga qeveritarët dhe tani rëndohen më të varfrit” tha Berisha.

Ja sa do të paguajnë automjetet:

Automjetet që do të zgjedhin kalimin në këtë aks do të paguajnë një tarifë sipas kategorisë ku bëjnë pjesë duke nisur nga 2.5 euro (me TVSH) për automjetet e thjeshta.

Kompania koncesionare G2Infra njoftoi pak javë më parë se kjo rrugë që është pjesë e korridorit Blu do të hyjë në regjimin e pagesës ashtu sikurse është parashikuar qysh në fillesat e saj dhe në marrëveshjen e koncesionit që ajo ka me shtetin shqiptar.

Kompania koncesionare ka sqaruar për Monitor se tarifat që do të aplikohen do t’i referohen kursit të Bankës së Shqipërisë për konvertimin nga euro në lekë.

Ndërkohë tarifat do të diferencohen sipas kategorisë së mjetit.

Motocikletat

Paguajnë 70% të vlerës bazë prej 2.5 Euro.

Tarifa përfundimtare: 1.75 Euro (rrumbullakosur në 1.8 Euro) ose 170 Lekë (sipas kursit EUR/ALL 1:98).

  1. Kategoria 2:

Autoveturat (tarifa bazë)

Tarifa bazë: 2.5 Euro me TVSH.

Konvertuar në Lekë: 250 Lekë (me kursin EUR/ALL 1:98).

  1. Kategoria 3:

Mjete me 2-3 akse dhe lartësi mbi 2.2 metra

Paguajnë 250% të vlerës bazë.

Tarifa përfundimtare: 6.25 Euro (rrumbullakosur në 6.3 Euro) ose 620 Lekë (sipas kursit EUR/ALL 1:98).

  1. Kategoria 4:

Mjete me 4 ose më shumë akse

Paguajnë 350% të vlerës bazë.

Tarifa përfundimtare: 8.75 Euro (rrumbullakosur në 8.8 Euro) ose 870 Lekë (sipas kursit EUR/ALL 1:98).

Rruga Thumanë-Kashar u hap për qarkullim në 30 qershor 2024 dhe është një autostradë 21 kilometra.

Kjo rrugë u ndërtua nga kompania private mbajtëse e koncesionit 35 vjeçar dhe me një kosto 271 milionë euro sikurse u deklarua gjatë ceremonisë së çeljes pak muaj më parë.

Kontrata me Gener 2 dhe G2 Infra që janë mbajtëse të koncesionit përllogarit që gjatë 35 viteve plani i të ardhurave të jenë rreth 1.3 miliardë lekë pa TVSH.

Një element tjetër i kontratës është ai lidhur me garantimin e të ardhurave bazë që do të vijnë nga operimi i rrugës.

Shteti merr përsipër që në 8 vitet e para të nisjes së operimit nëse nuk arrihet plani bazë të ofrojë mbështetje.

Kështu në vitin e parë plani bazë i të ardhurave për operim dhe mirëmbajtje është 26.85 milionë euro ndërkohë që shteti do të garantojë 8 milionë euro, në vitin e dytë që përkon me vitin 2025 plani bazë i të ardhurave është 25.58 milionë euro dhe garancia e shtetit ulet në 5.6 milionë euro.

Në vitin e tretë të operimit plani i të ardhurave është 25.10 ndërkohë që nëse nuk arrihet ky plan garancia e shtetit është për 3.92 milionë euro.

Vit pas viti plani i të ardhurave ndryshon duke shkuar në 63.15 milionë euro në vitin 2055 teksa mbështetja e shtetit ndalet në vitin 2031 kur garancia e parashikuar është 360 mijë euro, shkruan Monitor.

SHKARKO APP