Berisha zbulon padashje vilën luksoze, zemërohen fansat

Ish-kryeministri Sali Berisha ka postuar dje në Facebook për fansat e tij një foto nga vila në Gjirin e Lalzit, të cilën e mohonte që e kishte e bija. Në foton që Berisha ka postuar është duke mbajtur në dorë librin: “Ali Pashë Tepelena dhe Fillesat e Nacionalizmit Shqiptar”, të cilin i rekomandon dhe fansave për ta lexuar, pasi sipas tij ai ishte gjeneral i madh. Një verë pa mbarim kjo e ish-kryeministrit demokrat, i cili po shijon një “pension”, të cilin moshatarë të tij, dhe ata që ndoshta i japin votën as e ëndërrojnë.

Një fundjavë çlodhëse larg zhurmës politike të ditëve të fundit, akuzave shokuese, intrigave politike, skandaleve të nxehta apo vrasjeve te bujshme. Fundja pse jo, në një situatë të tillë ndoshta njerëzit harrojnë betimin e tij pak kohë më parë se vila në fjalë nuk është e tija. Dhe pse më pas “zbuloi” se ishte e së bijës, por e tija nuk është, shkruan “Shekulli”.

Një çlodhje që ka shijen e një reflektimi duke pasur parasysh këshillën e tij për të ndjekur gjurmët e një strategu të madh si Ali Pashë Tepelena. Ky i fundit pronat që i bëri të vetat, pjesën më të madhe i vodhi, por ndoshta Berisha i ka zili vetëm intelektin si strateg, se sa për prona aq pak i interesojnë, sa madje nuk e di as çfarë pronash kanë fëmijët e tij.

 

Akuzat

Një vit më parë, deputeti socialist Taulant Balla denoncoi ish-kryeministrin Sali Berisha se kishte ngritur një kat pa leje në vilën te Gjiri i Lalzit, të cilën Berisha në atë kohë e mohoi që e kishte. Berisha e pati quajtur një mashtrim akuzën e deputetit socialist Taulant Balla për shtesën e një kati të një vile në Gjirin e Lalzit, për të cilën Balla tha se është në pronësi të Argitës.

Por fotoja e publikuar dje tregon se vila në Gjirin e Lalzit i përket familjes Berisha. Duhet thënë se ajo është vila më e madhe në atë zonë, e vetmja që ka tre kate, nga dy kate që është norma e lejuar në planin e studimit urbanistik. Me sa duket mania për të qenë prezent kudo edhe nëpërmjet Facebook-ut, e ka ‘tradhtuar’ këtë herë ish-kryeministrin, i cili pas fotove do të ketë të vështirë ta mohojë këtë gjë përsëri.

Komentet e fansave

Polemikat mes fansave kanë plasur në FB, pasi fansat kanë zbuluar se fotoja që Berisha ka postuar është bërë te vila personale e familjes “Berisha”, te Gjiri i Lalzit. Një pjesë e madhe e komentuesve e kanë pyetur ish-kryeministrin se në cilin vend është bërë kjo foto. “Ku po e lexoni librin shoku Sali, te vila në gjirin e Lalzit? Paske edhe oborr botanik me palma. Ku i gjetët gjithë këto para për të patur kushte të tilla?”, shkruan Ervis Qojdeshi.

“Kurrë nuk mund të ndërtosh vilë me rrogë Kryeministri, dhe të jetosh në luks”, shkruan Sajmiri Laç. “Deputetë, qeveritarë, ish-qeveritarë me nga dy vila. Mos vallë i bënë me rroga?. A do dalë ndonjë Avni Rustemi të bëjë ndonjë gjë për të qenë për këtë popull ?”, shkruan Leone Harde.

Ndërsa komentuesja me emrin Elona Kodra shkruan: “Zoti Sali po lexon idhullin tënd, “Ali Pashë Tepelenën e? Po ç'strateg, se një gjakatar e i degjeneruar ishte. Ndërtoi shtet mbi kufoma, siç bën dhe sot politika”. Një tjetër i kujton Enver Hoxhën. “O të marrtë të keqen Enveri. Vallë e kishte ai këtë kopsht të bukur. Ju lumtë dhe flisni që gjoja ju dhimbset populli”, komenton Selim Shala. Ndërsa me dhjetëra koment të tjera e krahasojnë ish-kryeministrin me “Ali Pashë Tepelenën”.

SHKARKO APP