Bernd Fischer: Në Shqipëri pati luftë civile

“Di që kjo është një çështje me rëndësi në Shqipëri. Sinqerisht nuk e di pse duhet të jetë e tillë. Sigurisht që ka pasur luftë mes partizanëve dhe nacionalistëve. Këtë ne mund ta quajmë luftë civile ose mund ta quajmë thjesht një përleshje a betejë, por fakti është që ka pasur luftë mes partizanëve dhe nacionalistëve.  E di se ka njerëz që sugjerojnë që është e vështirë të ketë një luftë civile në kontekstin e pushtimit, madje kuptoj gjithashtu edhe se ka çështje politike të përfshira në këtë pyetje, por ky është mendimi im”, ka thënë ai, raporton “GSH”.

“Nëse nuk ndiheni rehat me konceptin e luftës civile, atëherë flisni për një betejë me armë, mes partizanëve dhe atyre që ishin kundër partizanëve, dhe një betejë me armë mes partizanëve e gjermanëve dhe një përleshje me armë me nacionalistët”, vijon më tej ai. Ndërkohë, ai thotë se nuk është i sigurtë nëse gjermanët kanë pasur vërtet interest a pushtonin shqipërinë:

“Mendoj se ata u detyruan ta pushtonin për shkak të rrethanave, por nuk ishte planifikuar për një kohë të gjatë dhe ata krijuan një politikë pushtimi përmes së cilës shpresuan se po ua linin shumë prej përgjegjësive shqiptarëve. Kjo nuk funksionoi për ta. Politika e tyre ishte e suksesshme meqë arritën ta kontrollonin vendin me një numër të caktuar forcash, e megjithatë ata harxhuan më shumë burime se sa kishin menduar. Suksesi i tyre ishte i limituar” Por teza e tij se mes partizanëve dhe nacionalistëve ka pasur një luftë civile, është kundërshtuar poshtë nga Paskal Milo.

Ai thotë se kjo tezë është një atentat që i bëhet luftës nacionalçlirimtare. “Është një tezë që përgjithësisht ngrihet nga njerëz që duan ti bëjnë atentat Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, ose më mirë do thosha kontributeve të çmuara të patjetërsueshme të të gjithë shqiptarëve antifashistë, në një ngjarje kaq madhore siç është Lufta e Dytë Botërore.

Ka ardhur koha që tema e luftës të mos bëhet objekt debatesh politike, dhe as interpretime mbi baza politike. Është thënë shumë herë dhe unë dua ta përsëris edhe një herë tjetër, unë jam vetë historian, por, kjo çështje duhet tu lihet historianëve sepse ata kanë përgatitjen, kulturën, materialet dhe metodologjinë për të bërë një debat të shëndetshëm shkencor edhe rreth kësaj çështje”, tha Milo.

“E kam trajtuar shpesh këtë çështje dhe mund tu them me përgjegjësi profesionale se lufta e shumicës së shqiptarëve ka qenë antifashiste, kundër pushtuesve. Kjo është tendenca, përmbajtja dhe thelbi i luftës. Mund të ketë pasur elementë të luftës civile në një moment të caktuar ose në një krahinë të caktuar. Ky është përkufizimi më i saktë, më shkencor e më i argumentuar”, vijon Milo.

SHKARKO APP