Besimtarët ortodoksë kremtojnë festën e Pashkëve, mesazhe shprese dhe thirrje për ndryshim nga politikanët
”Krishti u ngjall! Me të vërtetë u ngjall”, këto thirrje jehuan mes mijëra besimtarëve ortodoksë mesnatën e së shtunës në katedralen e madhe në Tiranë, por edhe ne të gjithat kishat e tjera ortodokse të vendit. Mesazhe paqeje janë shpërndarë nga klerikët nga çdo kishë e vendit. Sipas ritit fetar besimtarët kanë çuar dritën e re në shtëpitë e tyre, simbol i shpresës dhe bekimit. Edhe politika në vend ka uruar besimtarët me mesazhe për reflektim dhe për ndryshim.
Presidenti Bajram Begaj ka uruar besimtarët ortodoksë shqiptarë, duke e shoqëruar mesazhin e tij me pamje nga ceremonia e zhvilluar mbrëmjen e kaluar në Kishën e Shën Kollit në Voskopojë. Kreu i Shtetit uron për më shumë dritë në jetën e besimtarëve duke u nisur nga simbolika e dritës së ngjalljes së Krishtit dhe shpërndarjes së saj. Presidenti Begaj uron që kjo festë e shenjtë të sjellë paqe, dashuri dhe bekime për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë, duke nënvizuar vlerën e besimit dhe shpresës që kjo dritë përfaqëson.
Kryeministri Edi Rama ka postuar pamje nga mesha e mesnatës e Pashkëve Ortodokse në Dhërmi, e cila u zhvillua në një atmosferë festive dhe shpirtërore me pjesëmarrjen e besimtarëve të shumtë. Besimtarët ortodoksë ndoqën ritin tradicional të Pashkës, i cili kulmon me shpalljen e Ngjalljes së Krishtit në kishën e Shën Harallambit në Dhërmi, me ndezjen e qirinjve si simbol i dritës dhe jetës, si dhe shkëmbimin e urimit “Krishti u ngjall, vërtet u ngjall”, që përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të festës.
Kreu i PD-së, Sali Berisha nga Katedralja Ortodokse në Tiranë, ka uruar besimtarët ortodoksë për festën e Pashkës. Duke e cilësuar si ditën e shenjtë të ngjalljes së Krishtit dhe një moment reflektimi për vlerat morale, Berisha shprehu dëshirën që Pashka e ardhshme të festohet pa të keqen e madhe që ka prekur vendin vitet e fundit.
Kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi ka uruar Pashkët Ortodokse. Teksa vizitoi Katedralen e qytetit të Korçës, Peleshi u uroi gjithë shqiptarëve që mirësia e këtyre ditëve të përhapet në të gjitha shtëpitë e qytetarëve.
Partia e Lirisë uron besimtarët ortodoksë për festën e Pashkës, duke përcjellë mesazhe shprese dhe besimi. Në një deklaratë publike, Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi uroi për më shumë shëndet, paqe dhe begati në familjet shqiptare. Një mesazh ka ardhur edhe nga Ilir Meta, ku thekson simbolikën e kësaj feste si triumf i jetës dhe i shpresës mbi errësirën.
Partia e Lirisë uron besimtarët ortodoksë, Meta: Drita do triumfojë mbi errësirën
VIDEO/ Berisha nga Katedralja Ortodokse: Uroj që Pashkën tjetër ta festojmë pa këtë të keqe të madhe
Pashka Ortodokse në Dhërmi, Rama poston pamjet nga mesha e mesnatës
KOHA JONË SONDAZH

