Beteja në Kushtetuese, Meta: SPAK asnjë reagim për falsifikimin e firmës së ish-kryetarit të GJK
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta solli sot në vëmendje betejën e fituar vitin e kaluar teksa ndodhej në postin e presidentit. Meta shkruan se një vit më parë socialistët humbën betejën në Gjykatën Kushtetuese për ta shkarkuar nga presidenca, pasi i kishte humbur të gjitha betejat në Komisionin e Venecias. Po ashtu Meta thekson se ende sot e kësaj dite nuk ka një reagim nga SPAK në lidhje me denoncimin e presidentit një vit më parë për me falsifikimin e firmës së ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kuvendit.
Postimi i plotë
Një vit më parë “Rilindja” humbi betejën e saj të paturp për të shkarkuar Presidentin e Republikës në Gjykatën Kushtetuese. “Rilindja” në këtë mënyrë i kishte humbur të gjitha betejat e saj me Presidentin e Republikës edhe në Komisionin e Venecias.
Ndërkohë edhe sot e kësaj dite nuk ka një reagim nga SPAK se ç’bëhet me denoncimin e Presidentit të Republikës një vit më parë kur po ky Kuvend i “Rilindjes” që shihni sot falsifikoi firmen e ish-Kryetarit të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese kundër Presidentit.
Falenderoj të gjithë ekipin tim gjatë detyrës si President i Republikës, në veçanti të gjithë qytetarët për përkrahjen e tyre dhe sidomos popullin e 2 Marsit që u ngrit në këmbë në mbrojtje të Kushtetutës.
Në 3 Mars le të gjëmojë më fort zëri i popullit në mbrojtje të demokracisë, më i vendosur se kurrë për të realizuar Ndryshimin e Madh që po afron!