“Betonizimi” i Kullës së Sahatit/ Habit Iris Luarasi: Fajin e ka Basha
E ftuar në “Politik On” në RTV Ora, pedagogia Iris Luarasi komentoi mbi debatin që ka përfshirë kryeqytetin lidhur me ndërtimin buzë Kullës së Sahatit.
Sipas Luarasit, është normale që në një kryeqytet të ketë mosdakordësi lidhur me urbanizimin, ndërsa nuk mungoi edhe debati me moderatorin e emisionit Alfred Lela.
“Në një qytet ku nuk nuk ka mosdakordësi, është gjëja më normale. Aq më tepër që po flasim për kryeqytetin e vendit. Është gjëja më normale pasi italianët kanë shprehje “të gjitha shijet janë të drejta”. Ajo që mund të jetë fantastike për mua, mund të jetë më e shëmtuara për ty. Unë mendoj se ky është një nga diskutimet që duhet të ndodhë për një kryeqytet. Nuk më tremb kjo pjesa e diskutimeve dhe mendoj se në këto 25 vitet e fundit Tirana ka qenë gjithmonë një pjesë e diskutueshme nga pikëpamja urbanistike. Për shumë ka qenë një gjë që nuk u pëlqente dhe për disa diçka që u pëlqente”, u shpreh Luarasi.
Alfred Lela: Çfarë shije ju le Kulla e çhijezuar dhe çshijezuar nga betoni që do të ketë në bri dhe përbri?
Iris Luarasi: Në të gjitha qytetet e mëdha, kryesisht kryeqytetet e mëdhaja, europiane apo amerikane, ti shikon padiskutim ndërtesa të larta. Duhet të jenë me gishtat e dorës kryeqytetet që kanë ndërtesa 3-4 katëshe. Për të mos thënë nëse ekzistojnë të tilla kryeqytete apo jo.
Alfred Lela: Megjithatë lagjjet i ruajnë, zonja Luarasi…
Iris Luarasi: Po të më pyesësh mua, për shijet e mia, unë nuk jam pro ndërtesave të larta. Por ndërkohë, këto i shoh në çdo kryeqytet të botës dhe të them të drejtën kjo nuk është hataja më e madhe që po i ndodh Tiranës. Ajo që po ndodh te Sahati, shoh një ndërtesë tmerrësisht të lartë që është “Plaza”, që mesa di unë është dhënë leja në kohën e Bashës.
Alfred Lela: Po flas për godinën në gji të bashkisë…
Iris Luarasi: Ajo që nuk është ndërtuar akoma?…
Alfred Lela: Do ndërtohet, apo nuk do të ndërtohet? Se po nuk u ndërtua bie shqetësimi…
Iris Luarasi: Që të isha totalisht e barazlarguar, që të tregohesha e paanshme, do të dëshiroja të mos ndërtoheshin të dyja.
Alfred Lela: Problemi është “Plaza”, jo ajo që po ndërtohet…?
Iris Luarasi: Unë ta dhashë mendimin tim…