Bido kallëzon për shpifje zëdhënësen e PD-së

Kandidati për deputet i PS-së në listat e hapura në qarkun e Vlorës, Ardit Bido ka depozituar në Gjykatën e Tiranës kallëzim për shpifje ndaj zëdhënëses së PD-së. Sipas Bidos, “KQZ-ja ka zbardhur të vërtetën dhe ka sqaruar zyrtarisht se unë jam i pezulluar nga detyra si drejtor i përgjithshëm i Arkivave, përpjekja për të krijuar mjegull, nga ana e PD-së, bie poshtë. Faktet flasin vetë”.
”Besueshmëria politike nuk ndërtohet mbi baltë. Ndërtohet mbi atë që ke bërë në jetë, jo mbi çfarë shpif për tjetrin. Për këtë arsye, shpifjes nuk i përgjigjemi me po të njëjtën monedhë. I përgjigjemi aty ku duhet, në gjykatë. Sepse ky vend meriton debat, jo baltë. Drejtësi, jo zhurmë”, nënvizoi Bido.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të përjashtojë nga lista kandidatin socialist në Qarkun e Vlorës, Ardit Bido. Përmes një deklarate nga selia blu, Vangjeli u shpreh se Bido bën fushatë për deputet duke qenë ende në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave.