Bie interesi për vaksinim, vendi nën mesataren e rajonit
Paradoksalisht me pritshmëritë, muaji i hapur i vaksinimit po e “katapulton” Shqipërinë te grupi i shteteve me më pak doza të administruara në javët e fundit.
Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, të dhënat nga algoritmi “Our World in Data”, tregojnë se në javën e fundit Kosova ka një normë të kënaqshme të vaksinimeve me 0.78 doza për 100 banorë. Pas saj renditen Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina, ndërsa Shqipëria ia kalon vetëm Malit të zi dhe Serbisë.
Në 18 ditët e para të muajit gusht, në vend janë administruar 136,056 doza vaksine, që ndonëse me një rritje të lehtë krahasuar me të njëjtin hark kohor të korrik, mbetet poshtë niveleve të dëshiruara.
Ecuria ditore e vaksinimeve vijon të mbetet e paqëndrueshme, ku shifrat ditore luhaten nga minimumi i rreth 3 mijë vaksinimeve në maksimumin e 10 mijë dozave të administruara. Për disa qytetarë, vaksinimi i detyruar mund të ishte një alternativë për imunizimin e popullatës, të tjerë e kundërshtojnë.
Ka edhe nga ata që janë penduar për vaksinimin.
Jualian Kas, një qytetar kanadez që jeton në Tiranë, tregon sorollatjet në kërkim të vaksinës Pfizer.
Jualian Kas: “Shpresoj të vaksinohem me Pfizer. Isha në stadiumin “Air Albania” dhe ata më thanë që këtu mund të vaksinohesha me Pfizer, ndërsa këtu më thonë që nuk e kanë dhe nuk dinë të më thonë se ku të drejtohem. Është shumë qesharake. Nuk mund të gjej asnjë lloj informacioni “online” se ku duhet të shkoj”.
Që nga nisja e procesit të vaksinimit e deri më tani, në vend janë kryer më shumë se 1.3 milionë vaksinimi, nga ku 575,342 qytetarë i kanë marrë të dy dozat.