Bie numri i lindjeve, por bonusi i bebeve shkon masivisht jashtë vendit
Në fund të 10-mujorit 2022, qeveria shpërndau fondet në zërin “Bonusi i Bebeve” shumën prej 2,6 miliardë lekësh, në një kohë që lindjet në vendin tonë po bien me shpejtësi.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 9-mujorin 2022, në të gjithë vendin lindën 17,612 foshnja, 15% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ndërkohë që lindjet brenda vendit po bien, qeveria po rrit vit pas viti fondet për bonusin e bebeve, të cilat po përfitohen masivisht nga fëmijët e emigrantëve të lindur jashtë vendit. Burimet nga dega e një prej bankave që kryejnë pagesat bënë të ditur se shumica e fondeve jepen për fëmijët e lindur jashtë vendit.
Dy muaj pa u mbyllur viti, programi vjetor i bonusit të lindjeve u tejkalua me rreth 400 milionë lek (3,4 mln euro) ose 18% më shumë se plani vjetor. Për dy muajt e mbetur të vitit duket se tejkalimi do të arrijë të 10 milionë euro, pasi pagesat janë më shumë se 300 milionë lekë në muaj.
Në janar të vitit 2019 qeveria nisi të aplikojë dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) për nënat me foshnja të porsalindura, me qëllim për të stimuluar lindjet në vendin tonë që pas vitit 2010 po pësojnë rënie vjetore me ritme dyshifrore.
Për fëmijën e parë bonusi ishte 40,000 lekë, për fëmijën e dytë e dytë 80,000 lekë dhe fëmijën e tretë 120,000 lekë për lindjen e fëmijës së tretë dhe fëmijëve të tjerë në vijim;
Për nënat që lindin binjakë, masa e përfitimit do të jetë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për secilin fëmijë, ndërsa për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit do të jetë në masën 120 000 lekë për secilin fëmijë.
Vendimi i qeverisë ka përcaktuar se ndihmën e menjëhershme financiare e përfitojnë edhe nënat shtetase shqiptare për fëmijë të lindur jashtë vendit dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile.
Nëpunësi i gjendjes civile, i atashuar pranë institucioneve të shërbimit spitalor ku kryhet lindja, kryen veprimet e verifikimit on-line të statusit të nënës dhe regjistron fëmijën e lindur në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC) të vitit 2010.
Pas regjistrimit kryen verifikimet e nevojshme për përcaktimin e masës së ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi).
Duke qenë se vitet e fundit vendi është përfshirë nga një valë e lartë emigrimi të njësive familjare gati, gjysma e fondeve nga bonusi i lindjeve shkon për bebet e lindura jashtë vendit nga prindër që kanë nënshtetësi shqiptare. /MONITOR