Bilanci i 2019 në Shëndetësi/ 475 mijë qytetarë kryen kontrollin mjekësor bazë falas
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu përmes një video shfaqi punët e bëra gjatë vitit 2019. Gjatë vitit 2019 u bë modernizimi i Urgjencës Kombëtare, me 37 autoambulanca të reja. 100 autoambulanca të kësaj urgjence u pajisën me mjetet e reja jetëshpëtuese, duke ngritur në një standard të ri shërbimin e urgjencës në territor.
U rrit dhe mbulimi i territorit me autoambulanca krahasuar me një vit më parë duke ulur kohën e pritjes për shërbimin e urgjencës në 15 minuta në zonat urbane dhe 20 minuta në rang vendi. Njësia e Koordinimit në Urgjencën Kombëtare ka pritur në numrin 127 gjatë 2019, 328,813 thirrje për urgjencat mjekësore dhe ka kryer 98,980 misione. Kontrolli Mjekësor Bazë i shërben 1.2 milionë shqiptarëve të grupmoshës 35-70 vjeç të cilët e përfitojnë falas. Gjatë 2019, 475 mijë qytetarë kanë kryer këtë kontrollin mjekësor bazë, pra 11% më shumë se në vitin 2018.
Qytetarët me anë të këtij kontrolli masin falas një herë në vit 44 parametra shëndetësorë dhe realizojnë 5 teste vlerësuese. Një nga mënyrat e kapjes së hershme të kancerit të gjirit është mamografia. Në vitin 2019, 19,528 gra kanë kryer falas mamografinë, 22% më shumë se në vitin 2018. Programi kombëtar për depistimin e kancerit të qafës së mitrës, nisi të zbatohet me trajnimin e mjekëve të familjes dhe infermierëve në të gjithë vendin dhe ofron kryerjen e testit HPV falas për gjithë gratë.
Nga ky program gjatë vitit 2019, 17 mijë gra kryen falas testin HPV në 413 qendra shëndetësore. Kalendarit të vaksinimit në vendin tonë ju shtua një tjetër vaksinë e re gjatë 2019, vaksina e Rotavirusit, e cila ofrohet falas për çdo fëmijë. Gjithashtu 12 vaksina u shtuan në kalendarin e vaksinimit. Nga programi vaksinimit, 240 mijë fëmijë kanë përfituar vaksinat falas.
Qeveria shqiptare gjatë 2019 morri një vendim për zgjerimin e përfituesve të fishave të diabetit falas. Pas fëmijëve të moshës 0-18 vjeç që përfituan fishat e diabetit falas për herë të parë gjatë vitit 2018, qeveria vendosi që të zgjerojë moshën e përfituesve, duke përfshirë edhe të rinjtë deri në 25 vjeç. Nga fishat e diabetit falas për fëmijët dhe të rinjtë deri 25 vjeç, përfituan 600 pacientë gjatë vitit 2019. Gjithashtu në listën e rimbursimit u shtuan 14 barna të reja. Gjatë vitit 2019 u bë i mundur dhe mbulimi 100% falas për trajtimin e sëmundjeve malinje të gjakut dhe trajtim falas për 490 mijë qytetarë me sëmundje kronike.